Emigrantët e bllokuar në Ballkan

Mijëra njerëz kanë ngecur në kufirin midis Greqisë dhe Maqedonisë pasi lejohen të kalojnë vetëm ata që mund të provojnë se po i largohen luftës në Siri, Irak dhe Afganistan. Të ashtuquajturit emigrantë ekonomikë nga Pakistani, Irani dhe Bangladeshi nuk kanë se ku të shkojnë. Ndërkohë që pritet të vazhdojë vala e emigrantëve dhe refugjatëve edhe gjatë dimrit përmes Greqisë, vëzhguesit thonë se është i domosdoshëm menaxhimi i situatës për të shmangur rreziqet dhe problemet e mëtejshme.

Tensionet janë të larta mes emigrantëve të bllokuar në anën greke të kufirit Greqi – Maqedoni dhe policisë maqedonase.

Tashmë të zemëruar që Maqedonia ka filluar ndërtimin e një gardhi në kufi, emigrantët filluan të hedhin gurë ndaj policëve në pikën kufitare. Rreth 1300 emigrantë nga Maroku, Algjeria, Jemeni, Irani, Pakistani, Bangladeshi, Somalia dhe Kongo, po qëndrojnë përgjatë shinave të hekurudhës në kufi. Ata kanë bllokuar lëvizjen e trenave për gati dy javë.

Mark Yarnell, i organizatës “Refugees International”, foli për Zërin e Amerikës nga Greqia për situatën që po e përjeton vetë.

“Kur bisedojmë me njerëzit, megjithëse kufijtë janë tashmë të mbyllur, ata shpresojnë se ndoshta mund të lejohen të kalojnë të nesërmen. Pra, nuk largohen nga kufiri, pasi nuk duan të humbasin shansin nëse situata ndryshon.”

Ai u shpreh i shqetësuar për një sërë kufizimesh të reja të pakoordinuara në disa prej kufijve të Ballkanit.

“Ata do të lëvizin edhe nëse nuk i lejojnë. Mendoj se ekziston rreziku që nëse nuk kalojnë dot ligjërisht në Maqedoni, atëherë do të kërkojnë për trafikantë dhe mund të kalojnë nëpërmjet Shqipërisë apo vende të tjera.”

Sipas zëdhënësit të UNHCR-së, Brian Hansford, është urgjente nevoja për një proçes të sigurtë në mënyrë që njerëzit të mos rrezikohen duke kërkuar rrugë ilegale.

“Askush nuk zgjedh të bëhet refugjat. Na nevojiten qendra pritjeje në kufij, ku njerëzit do të dëgjohen, kontrollohen, ku do të përcaktohet nëse janë refugjatë apo emigrantë ekonomikë, dhe pastaj do të merret vendimi për ta. Nëse rezultojnë emigrantë ekonomikë, atëherë mund të rikthehen në vendet e tyre me dinjitet.”

Zoti Hansford thotë se ky nuk është një problem grek, maqedonas, apo gjerman dhe nuk është i kufizuar vetëm në një vend.

“Ky është një problem i përbashkët evropian që kërkon një përgjigje të koordinuar evropiane.”

Mbi 600 mijë emigrantë kanë hyrë këtë vit në Evropë përmes Greqisë. Shumica vazhdojnë drejt veriut nëpërmjet Ballkanit. Analistët thonë se në Evropë po krijohet një situatë krize humanitare që kërkon vëmendje urgjente.

scroll to top