Ermira Mehmeti: Shqetësuese niveli i ndotjes së ajrit në Tetovë

Në kuadër të programit nacional për miratimin e të drejtës së BE-së për tremujorin e tretë, nga Sekretariati për Çështje Evropiane thonë se nga gjithsej 43 ligje janë miratuar vetëm 14 ligje.
Gjithashtu në këtë tremujor është realizuar edhe një takim i dialogut të nivelit të lartë, si dhe është miratuar program për zhvillimin e decentralizimit  dhe program për anti-korrupsion sipas ligjeve të BE-së.
Këto të dhëna u raportuan sot në Komisioni kuvendor për Çështje Evropiane nga ana e përfaqësuesve të Sekretarit për Çështje Evropiane. Kryetarja e Komisionit, Ermira Mehmeti, theksoi se efekti negativ i krizave ciklike kanë ngadalësuar procesin e harmonizimit të ligjeve dhe në dy vitet e fundit  kemi një stagnacion në punën e implementimit të së drejtës së BE-së në vend.
Në kuadër të këtij Komisioni, Mehmeti kërkoi sqarim më të hollësishëm mbi ndotjen e ajrit në Tetovë.
“Më shqetëson si qytetare si deputete, si përfaqësuese e popullit fakti që tanimë një kohë të gjatë flitet e përflitet për ndotjen që e shkakton një fabrikë në rajoni e Pollogut. Le të jetë kjo një vërejtje deri te Sekretariati për të kërkuar më shumë sqarime dhe informata se çka në të vërtetë po ndodhë me ndotjen në rajonin e Pollogut dhe çfarë mund të bëjmë ne si klasë politike, si parlament për të reduktuar emetimin e këtyre substancave ndotëse, për shkak se detyrimi ynë është që të garantojmë të drejtën e jetës si e drejtë elementare themelore e njeriut”- deklaroi kryetarja e Komisionit për Çështje Evropiane, Ermira Mehmeti.
Ana Blazheska nga Sekretariati për Çështje Evropiane tha se për herë  të parë në raport-progres është konstatuar ndotja e ajrit si problem shqetësues dhe kjo vërejte, sipas saj, do të duhet të pranohet si dhe të vihet në procedurë nga Ministria e Ambientit dhe nga  autoritetet lokale.
scroll to top