Evropë, mos e shndërro Kosovën e vogël në një problem të madh

Nga Marc Champion

Këtë javë zyrtarët në Bruksel mund të rekomandojnë që ukrainasit dhe gjeorgjianët duhet të jenë në gjendje të udhëtojnë në Bashkimin Evropian pa viza, duke shfrytëzuar një nga mjetet më të fuqishme të bllokut për të bërë miq dhe për të ndikuar fqinjët.

Megjithatë diçka e tillë nuk pritet edhe për Kosovë. Pse?Kjo mbase mund të tingëllojë si një gjë e parëndësishme; Kosova është një vend i vogël dhe udhëtimi pa viza nënkupton të drejtën për të vizituar për tre muaj, jo për të punuar apo jetuar. Por vendimi do të përcaktojë nëse – marrë parasysh sforcimin për kohezion duke filluar që nga euro-ja e deri tek refugjatët dhe shqetësimet për xhihadistët – BE-ja do të mund të ndjek qëllimin e saj origjinal që të përdor integrimin për stabilizimin e kontinentit.

Në anën tjetër, është befasues fakti që BE-ja është duke shqyrtuar rregulla më liberale të udhëtimit për këdo, marrë parasysh ndjenjën izolacioniste dhe anti-migrante që është duke kapluar Evropën për momentin. Kjo do të thotë se për njëherë të vetme, blloku është duke menduar në mënyrë strategjike për interesat e saj.

Udhëtimi pa viza është i rëndësishëm sa i përket tregtisë dhe investimeve ndër-kufitare. Për shembull, biznesmenët turq janë ankuar për vite me radhë për mundimet të cilat i hasin për të takuar, apo qoftë edhe vizituar nën-degët e tyre në Evropë, për shkak se pavarësisht nga fakti që Turqia që nga viti 1996 ka një union doganor me bllokun, shtetasit turq prapë se prapë duhet të presin në radhë për marrjen e vizave për vizita.

Mundësia që të udhëtojnë lirshëm u mundëson njerëzve nga vende të korruptuara apo jo-funksionale të përjetojnë apo të paktën të jenë dëshmitarë të përfitimeve që rrjedhin nga demokracia dhe sundimi i ligjit. Kjo është një mënyrë që t`ju bëjmë me dije fqinjëve se nuk janë të përjashtuar nga klubi evropian dhe se mund të shpresojnë në integrim nëse pastrojnë dhe fuqizojnë institucionet e tyre demokratike.

Shpresa për integrim evropian është ajo që e bëri të mundshëm fillimin e pajtimit mes Serbisë dhe ish-krahinës së saj, pasi Kosova u shkëput në mënyrë të njëanshme në vitin 2008. Bashkëpunimi për të ndaluar konfliktet e ardhshme është pikërisht arsyeja për të cilën është krijuar BE-ja. Që nga fillimi ndaj Kosovës është përdorur një standard tjetër. Sa i përket anëtarësimit, ndoshta një gjë e tillë ishte e pashmangshme: pesë nga 28 vendet e BE-së nuk e njohin shtetësinë e Kosovës, prandaj deri në zgjidhjen e kësaj nuk do të mund të bëhet anëtare. Në ndërkohë, Komisioni Evropian të hënën hapi kapitujt e parë të negociatave për anëtarësimin e Serbisë, përfshirë edhe një për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Kosovës duhet të i lejohet udhëtimi pa viza në mënyrë që të mbahet gjallë shpresa për integrim në BE. Megjithatë, në krahasim me shtetet fqinjë, Kosovës i janë dhënë gati dyfish më shumë standarde për arritjen e qëllimit të njëjtë. Deri më tani, Shqipëria, Bosnja, Maqedonia dhe Serbia kanë siguruar udhëtimin pa viza duke e lënë kështu Kosovën në izolim të pakëndshëm, në qendrën e një regjioni që BE-ja e konsideron të jetë si strategjike edhe të paqëndrueshëm. A është kjo zgjuarsi?

Ashtu siç Ministri për Integrim Evropian i Kosovës, Bekim Çollaku më tha:Vazhdimi i kësaj situate do të ketë pasoja shumë serioze, jo vetëm për faktin që njerëzit do të jenë më pak optimist sa i përket të ardhmes së tyre evropiane, por edhe do të përpiqen të gjejnë alternativa të tjera për thyerjen e këtij izolimi.

Këto alternativa, vazhdoi ai, pikë së pari përfshijnë migrimin ilegal në shtetet e BE-së, sidomos nga të rinjtë që janë duke e rritur frustrimin ndaj Evropës.

Problemi i sipërfaqshëm me propozimin e Kosovës është mungesa e vazhdueshme e përpjekjeve për të përmirësuar sundimin e ligjit dhe luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Këto kritika janë të merituara. Megjithatë, shikoni hartën e shteteve të cilave BE-ja u ka dhënë, apo pritet t`iu jep, të drejtën e udhëtimit pa viza, duke mënjanuar kërkesat e tyre për sundim të ligjit, luftim të krimit të organizuar dhe korrupsionit

Moldavia: Një nga politikanët më të fuqishëm të vendit në muajin tetor është arrestuar si pjesë e një hetimi për mashtrim bankar ku 10% e BPV së shtetit është zhdukur. Nuk është më pak e korruptuar se Kosova.

Ukraina: Prokuroria dhe gjykatat e Kosovës nuk mund të jenë më pak të pavarura apo kompetente se ato të Ukrainës, sidomos pas marrjes së asistencës nga misioni më i madh ndonjëherë i BE-së për sundim të ligjit.Kolumbia dhe Shqipëria: A ka Kosova në të vërtetë një problem më të madh me krimin e organizuar? BE-ja e pranon se sfidat e tilla aq të thella do të jenë çështje që duhet të zgjidhen në vitet e ardhshme.

As varfëria nuk është një faktor diskualifikues. Kosovarët janë më të pasur se moldavët apo ukrainasit, dhe natyrisht se popullsia prej 1.8 milion banorëve përbënë një rrezik më të vogël në krahasim me 45 milion banorët e Ukrainës.

Ndoshta frika qëndron në faktin se Kosovarët do të tejkalojnë qëndrimin tre mujor të lejuar në regjimin e udhëtimit pa viza dhe të zhduken në ekonominë e zezë; apo ndoshta që luftëtarët e Shtetit Islamik do të mund të fshihen në mesin e tyre – 232 persona nga Kosova, që është një vend kryesisht mysliman, besohet se i janë bashkuar luftimeve në Siri. Kjo është një shifër që për kokë banori është me lartë se e çfarëdo shteti të BE-së. Këto janë rreziqe të vërteta, por në çfarëdo rasti njerëzit tashmë janë të vendosur që të migrojnë apo të infiltrohen. Përkundrazi, udhëtimi pa viza (megjithëse i kontrolluar përmes pasaportave) mund të zvogëloj migrimin ilegal.“Kjo është një dinamik shumë e rrezikshme”, deklaroi Gerald Knaus, Drejtor i Iniciativës për Stabilitet Evropian, që është një forum i mendimeve. “Kjo nuk i ofron Kosovës perspektivë. E izoluar, e varur nga importet dhe me normën më të ulët të punësimit për gra në Evropë – ku është e ardhmja?

BE-ja mori vendimin që të njohë ndarjen e Kosovës nga Serbia, qoftë kjo e drejtë apo e gabuar. Tani duhet të sigurohet që këto dy shtete të integrohen në BE së bashku.

scroll to top