Facebook me standarde të dyfishta – nuk ofroi flamur libanez për fotografitë e profilit

Shumë njerëz në Facebook kanë ndryshuar fotografitë e profileve të tyre për të shfaqur flamurin e Francës, një shenjë kjo e vogël për të shfaqur solidaritetin me viktimat e sulmeve terroriste të të premtes

Është një gjest i vogël që tregon se njerëzit bashkëndiejnë për atë çfarë ka ndodhur dhe që është bërë shumë i popullarizuar.

Por disa përdorues të rrjeteve sociale kanë pyetur se përse i njëjti opsion nuk është dhënë për viktimat e rasteve tjera të ngjashme që ndodhin nëpër botë, siç është rasti kur u vranë 43 persona nga kamikazë javën e kaluar në Bejrut të Libanit, raporton Metro.

Ata thonë se kjo po ngjan në standarde të dyfishta për botën që mban zi dhe ndez qirinj për viktimat kur ata janë parisienë, por mbledhin supet dhe vazhdojnë ditën e tyre të pa shqetësuar kur dëgjojnë për vrasjet në vendet myslimane.

Disa përdorues megjithatë kanë ngarkuar fotografi të flamurit libanez apo flamuj të vendeve të prekura nga konflikti si Burundi në Afrikë.

Njerëzit kanë pyetur gjithashtu se përse Facebook ka aktivizuar veçorin ‘Safety Check’ në mënyrë që njerëzit t’i njoftojnë të afërmit e tyre se janë të sigurt në Paris, e jo në Bejrut.

Mark Zuckerberg i Facebookut ka thënë se Parisi ka qenë rasti i parë që kjo veçori është futur në funksion përjashto rastet e katastrofave natyrore dhe ka theksuar se në të ardhmen këtë veçori do ta fus në funksion edhe më shpesh.

“Duhet të ekzistojë hera e parë për të provuar diçka të re, madje edhe në raste komplekse e të ndejshme, dhe për ne ky rast ka qenë Parisi”, ka thënë ai.

Të tjerë përdorues në Twitter kanë theksuar edhe pabarazinë në reagime ndaj sulmeve në Bejrut dhe në Paris në mbarë botën, duke thënë se nuk ka pasur konferencë për media nga presidenti i SHBA-ve dhe asnjë ndërtesë nuk është ndriçuar për Libanin.

scroll to top