Fakulteti i Kulturës Fizike ndau mirënjohje për fituesit e garave në futboll dhe basketboll

Fakulteti i Kulturës Fizike i Universitetit Shtetëror të Tetovës, me ndeshjen finale që u zhvillua sot, në mes ekipeve të Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, përmbylli aktivitetet sportive që u organizuan për nderë të shënimit të 21 vjetorit të themelimit të universitetit tonë.  Fakulteti i Kulturës Fizike, nga 14 dhjetori e deri më sot, organizoi një sërë aktivitetesh sportive në gjimnastikë, basketboll, si dhe turnir në futboll të vogël, ku morën pjesë të gjithë fakultetet e USHT-së. Më 15 dhjetor u zhvillua ndeshja për vendin e tretë, në mes ekipeve të Fakultetit të Administrim Biznesit dhe Fakultetit Ekonomik, ku fitore kori ekipi i Fakultetit të Administrim Biznesit nga Kumanova.

Gjatë ditës së sotme u zhvilluan ndeshjet në basketboll dhe u luajt finalja në futboll të vogël, mes ekipit të Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë. Këtë finale e ndoqën për së afërmi edhe Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti, Prorektori për Arsim, Prof. dr. Reshat Qahili, Sekretari i përgjithshëm, Adem Beadini, dekanë, senatorë, profesorë dhe studentë.  Në këtë finale i pranishëm ishte edhe futbollisti Agim Ibrahimi, i cili ka qenë student i USHT-së, ndërsa tani luan si futbollist për reprezentacionin e Maqedonisë dhe për skuadrën e Mariborit të Sllovenisë. Ai, me këtë rast, me një gjuajtje të topit e bëri fillimin e ndeshjes finale.

Fitues i turnirit në futboll të vogël u shpall ekipi i Fakultetit të Kulturës Fizike, pasi e mposhti ekipin e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, me rezultat të përgjithshëm 6:3. Kupën kampion që vitin e kaluar e kishte fituar Fakulteti Ekonomik, këtë vit Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti ua dhuroi kampionëve të ri, ekipit të Fakultetit të Kulturës Fizike. Po ashtu, Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti, fituesve u ndau edhe kupën e vendit të parë. Fitues i vendit  të dytë në futboll të vogël u shpall ekipi i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, ndërsa kupën ua ndau futbollisti shqiptar, Agim Ibrahimi. Kurse fituesit të vendit të tretë, ekipit të Fakultetit të Administrim Biznesit nga Kumanova, kupën për vendin e tretë ua ndau Dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike, Prof. dr. Ajri Ziba.

Gjithashtu, Fakulteti i Kulturës Fizike ndau çmime edhe për tri ekipet më të mira në basketboll. Ekipit ,,Universiteti”, që e zuri vendin e parë në basketboll, kupën ua ndau Kryetari i Parlamentit Studentor, Ardian Bilalli. Ndërsa ekipit të Fakultetit të Kulturës Fizike, kupën për vendin e dytë ua ndau Prorektori për Arsim i USHT-së, Prof. dr. Reshat Qahili, si dhe fituesit të vendit të tretë, ekipit ,,Studenti”, kupën për vendin e tretë ua dhuroi Dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, Prof. dr. Nasir Bexheti.

Studentit Arsim Nuredini, për improvizimin e tij në një kompozim akrobatik në tapetin gjimnastikor iu nda mirënjohje, të cilën ia dhuroi dekani i Fakultetit të Arteve, Prof. dr. Miftar Memeti. Ndërsa në fund të manifestimit, Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti, në shenjë falënderimi i ndau mirënjohje futbollistit shqiptar, Agim Ibrahimi.

ballina DSC_7304 DSC_7549 DSC_7557

scroll to top