“Ferrari, gjithnjë në rritje”

Vendi i katërt arritur dje në pistën e “Yas Marina” ishte maksimumi për pilotin gjerman të Ferrarit, Sebastian Vettel, që e nisi garën nga vendi i 15-të.
Ai bëri një garë të mirë, teksa falë strategjisë rikuperoi 11 peozicione dhe tentoi të kapte podiumin, aty ku u rendit në vendin e tretë shoku i skuadrës Kimi Raikkonen.

Megjithatë, për Vettel ky rezultat ishte maksimumi në garën e fundit sezone të zhvilluar në Abu Dhabi, ndërkohë që këtë sezon e mbylli me 3 fitore. “U nisa nga shumë pas dhe në fillim kisha vështirësi të parakaloja, pasi mund të përplasesha. Ndaj, të renditesh i treti apo i katërti ishte maksimumi që mund të bëja”, tha Vettel pas garës, transeton Telesport.

“Ishte diçka e bukur të bëja kaq shumë parakalime edhe pse hera-herës e rrezikshme. Edhe po të isha më përpara në start nuk besoj se do ta fitonim garën, pasi Mercedes ishin shumë të shpejta. Megjithatë, tani të ngremë një dolli për atë çka arritëm këtë sezon dhe të përgatitemi për vitin 2016”, tha Vettel për mediat pas garës.

Piloti gjerman i “kokëkuqes” shprehet i kënaqur në përgjithësi me sezonin 2015, ku u ngjit 13 herë në podium dhe fituar 3 gara.

scroll to top