Flasin dëshmitarët: Kështu u rrah Flori nga Stine

Dëshmitarët thonë se këngëtari Flori Mumajesi është gjetur i gjakosur dhe me një të çarë në ballë. Këngëtari Arkimed Lusha ka deklaruar se Mumajesi është goditur nga Stine, por ky i fundit e ka mohuar këtë ngjarje. Ai ka deklaruar në polici se Flori Mumajesi është vetëplagosur.

Përveç fundit të lumtur të fitores së Aurela Gaçes, ‘Kënga Magjike’ ka shënuar dhe një incident të rëndë mes kolegëve.
Këngëtarët Stine dhe Flori Mumajesi janë konfliktuar fizikisht mes tyre. Ngjarja ka ndodhur pas përfundimit të spektaklit dhe përfundimit të votimit.

Sipas të pranishmëve, Stine nuk e ka përmbajtur veten dhe e ka goditur Mumajesin me një send të fortë në ballë, duke e gjakosur. Mësohet se ka qenë Stine ai që ka nisur sherrin ndaj Florit dhe mendohet se shkaku kanë qenë pikët për këngët respektive.
Stine i ka dhënë Florit 26 pikë (30 është maksimumi), kurse Flori nuk e ka vlerësuar aq shumë, duke i dhënë vetëm dy pikë.

Pas këtij incidenti banal, Ernest Duka, i njohur në muzikë si “Stine”, u shpall në kërkim nga policia dhe u arrestua rreth orës 16:40 të pasdites së djeshme.

Stine ka mohuar se ka goditur kolegun e tij, duke thënë se ai është vetëplagosur.
Në përfundim të votimeve, pa u shpallur ende fituesi i “Këngës Magjike”, Flori Mumajesi është nisur për të dalë nga Pallati i Kongreseve, por nga pas e ka ndjekur Stine, i cili pas disa batutash ofenduese, e goditi kantautorin me një send të fortë në fytyrë (mendohet të ketë qenë kupa e festivalit).

Aty për aty ka ndërhyrë Altin Goci dhe një person tjetër që shmangu përshkallëzimin e situatës, ndërsa Flori i gjakosur u ndje keq dhe me vështirësi eci në drejtim të rrugës.
Flori ka pësuar një çarje në ballë, e cila i është qepur në spital, ndërsa kantautori ka denoncuar ngjarjen te forcat blu që shërbejnë në urgjencën e QSUT- së, të cilat janë vënë në lëvizje.

Policia e Tiranës shpalli në kërkim menjëherë pas ngjarjes këngëtarin Stine (Ernest Duka), i cili akuzohet se ka goditur me sende të forta këngëtarin Flori Mumajesi gjatë finales së “Këngës Magjike”.

Sipas njoftimit të policisë, 34-vjeçari Stine ka goditur këngëtarin Flori Mumajesi ditën e djeshme. Sipas saj, ngjarja ka ndodhur në rrugën “Papa Gjon Pali”, menjëherë pas mbarimit të eventit.

Ernest Duka është shoqëruar në Komisariatin numër 1.

Pas arrestimit, Stine ka deklaruar në polici se nuk ka qenë ai që ka goditur Florin.
Dëshmia e tij i jep një tjetër drejtim ngjarjes.
Stine ka deklaruar se nuk e ka goditur kolegun e tij Mumajesi dhe se ai është vetëplagosur.
Ndërkaq, burime nga policia pohojnë se Ernest Duka do të lihet i lirë pasi të merret në pyetje.
“Flori Mumajesi është vetëplagosur. Flori Mumajesin nuk e kam goditur unë”, – ka thënë Stine për blutë.
Por vetë i dëmtuari dhe këngëtari Arkimed Lusha, dëshmitar në ngjarje, kanë deklaruar se ka qenë pikërisht Stine ai që ka goditur duke i shkaktuar një dëmtim në ballë këngëtarit Flori Mumajesi.
Madje “Stresi” shkruan në profilet e tij në rrjetet sociale se është hakmarrë ndaj Stines vetëm 5 minuta pas ngjarjes.

Ndërsa këngëtari Altin Goci ka qenë i pari që e ka gjetur të gjakosur Flori Mumajesin.
“Ngjarja ka ndodhur teksa Aurela Gaçe ishte ngjitur në skenë dhe po këndonte këngën fituese. Ne, ndryshe nga herët e tjera që kur këndon fituesi të gjithë këngëtarët dalin në skenë, na ishte thënë që kjo gjë nuk do ndodhte këtë herë. Ndërkohë që Aurela po këndonte, unë po largohesha nga Pallati i Kongreseve dhe po dilja nga dera nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, ka treguar këngëtari Goci.

Ai thotë se kur ka dalë nga dera, ka gjetur Florin të mbuluar me gjak, ndërsa ka parë që Stine po largohej prej aty.

“Unë u llahtarisa nga ajo skenë që pashë. Lajmërova menjëherë ‘security’, kur ata erdhën, u mblodhën edhe këngëtarët e tjerë. Pashë që Flori ishte i vetëdijshëm, nuk i kishte humbur ndjenjat dhe menjëherë është dërguar në spital. Ajo zonë aty është në errësirë të plotë. Nëse aty do të kishte ndriçim dhe security, kjo ngjarje mbase nuk kishte për të ndodhur”, ka treguar Altin Goci për ngjarjen.

scroll to top