Flori Mumajesi, në një rrëfim ‘me fjalë të vogla’

Kjo është një nga ato intervista që më vjen ta filloj me shprehjen tipike: “Ehhh, nga t’ia nis më parë…” Ne e dimë se, ashtu siç kujtojmë sot me adhurim emrat që kanë bërë historinë e muzikës shqiptare, po njësoj brezat që do të vijnë do të bëjnë “chapeaux” për Flori Mumajesin. Po po, kështu do të jetë, sepse muzika e tij është muzikë e shpirtit. Kolonë zanore e miliona puthjeve, ndarjeve. Ritmi i një nate të çmendur, i ditës më të lumtur të jetës, himni i një dashurie të rrallë si ajo për tokën e lindjes. Kështu, me vargjet dhe notat e tij, Flori Mumajesi është në jetën e çdo shqiptari. Sigurisht, duhet të jetë krenari e madhe, por gjithë ky sukses, a e tremb vallë artistin? Pse nuk shteron kurrë frymëzimi i tij? Çfarë fshihet përtej gjithë shkëlqimit e famës, si është Flori, çuni i shtëpisë? Nga nisi ky rrugëtim që e solli deri këtu? Këto e shumë të tjera janë pyetjet që më erdhën në mendje kur u nisa ta takoja, në vendin ku mund ta gjesh përherë, në studion e “Threedots”. Dhe po mendoja: të gjithë duan të dinë më shumë për Florin, megjithëse nga privatësia e tij ai gjithmonë ka dhënë pak. E për habinë time, kjo nuk e ka larguar nga publiku, nuk e ka bërë të ftohtë… E duan po njësoj. Ndaj këtë kopertinë, e ndjej si një dhuratë për lexuesin tim. Ju ftoj të bëheni pjesë e një bisede, nga ato të veçantat me Flori Mumajesin.

Çfarë ndodhi që u ktheve në “Kënga Magjike”?

Nuk kishte nevojë të ndodhte asgjë, thjesht ishte një dëshirë e imja për të qenë më afër publikut në një formë tjetër.

Ishte ide e jotja apo ftesë e producentit Gjebrea?

Siç e thashë edhe më sipër, ishte dëshirë e imja e momentit, pa e menduar shumë gjatë.

Si lindi “Me fjalë të vogla”?

Natyrshëm; kam akumuluar shumë dhe diku më duhet ta shkarkoj (buzëqesh). Thjesht e lëshoj veten dhe e gjithë pjesa tjetër është burim nga shpirti.

Sa shpesh flet ti me fjalë të vogla dhe kujt i flet më së shumti?

Shumë shpesh, edhe tani (buzëqesh); unë jam praktik dhe preferoj të jem njësoj gjithmonë.

Të kishte marrë malli për kompeticionet?

Nuk është çështje malli. Unë mendoj se kompeticionet janë një mënyrë e mirë për të reflektuar se ku je dhe çfarë po bën.

Ç’mendon për votimin në “Kënga Magjike”?

Votimi gjithmonë ka qenë problem, por në rastin konkret nuk besoj se ka vend për diskutime, edhe pse ne gjithmonë vdesim ta kontestojmë diçka, nganjëherë edhe veten (nënqesh).

Këtë vit ka shumë artistë pjesëmarrës me këngë nga “Threedots”; e ke krijuar ti klanin që do të të votojë?

Nuk kam nevojë të krijoj klane, nuk kam asnjë arsye. Është tjetër arsye pse Klajdi dhe Bruno marrin pjesë, – të paktën këto dy këngë kam krijuar unë. Nëse mendon se klani bëhet me dy vota apo edhe më shumë, të siguroj se e ke shumë, po shumë gabim.

Cilën këngë vlerëson më shumë?

Ki pak durim.

Është në dëshirat e tua fitorja e “Kënga Magjike”?

Jo vetëm e imja, por e të gjithë atyre që marrin pjesë, ose më saktë, e pjesës më të madhe.

flori-2Dikur ti ke qenë një nga ‘shtyllat’ e “Kënga Magjike”, sepse prodhoje shumë këngë për atë festival. Çfarë ndodhi, pse u tërhoqe?

Pse gjithmonë duhet të ndodhë diçka?! Në atë kohë mora pjesë në “Top Fest” dhe në Festivalin Ballkanik e “Videofest”. Nuk ka asgjë të keqe, besoj, të dish të menaxhosh prezencën.

Në fakt, pse ke filluar të prodhosh gjithmonë e më pak këngë për kolegët e tu?

Sepse jam njeri, jo robot.

Je i lodhur? Fiton më pak duke bërë këngë sesa me koncerte, apo çfarë?

Nuk matet vetëm me fitim ekonomik; do preferoja ta masja me fitim shpirtëror. Prandaj thashë më sipër se, edhe unë njeri jam.

Çfarë duhet të bëjë një këngëtar që të marrë një këngë prej teje?

Nuk kam kritere.

Çfarë po ndodh mes teje dhe Elvanës… Unë sapo e takova, në fakt, dhe e di që nuk ka asnjë ndarje dhe asgjë tjetër, po çfarë po bën ti për të? A do të ketë një këngë të re?

Nëse ke menduar të ma bësh intervistën për Elvanën, të paktën të ma thoje më përpara, gjithsesi po, do të kemi një këngë të re, normal.

Një album? Një tjetër sesion acoustic?

Sigurisht, do përpiqemi për të dyja.

A ke ti një raport dashuror me të?

E mirë tani.

A do të martoheshe me një vajzë si Elvana?

Intervistën po ma bën në çift, e paske ndarë mendjen.

Sa të dashura ke pasur gjatë jetës tënde?

Edhe po ta them, edhe po të mos e them, prapëseprapë nuk do më besosh.

Si je ti në raport me një vajzë?

Nuk më takon mua kjo pyetje.

Sa vajza të kanë propozuar?

Asnjë.

Femra ideale sipas teje?

Femra ideale, ajo për të cilën të rreh zemra fort, për të cilën fle dhe zgjohesh duke e menduar, për të cilën flet me veten, për të cilën je gati të rrezikosh gjithçka.

Më mirë një të dashur këngëtare, apo jo?

Të jetë si të jetë; po ta dha si më sipër, vështirë të bësh llogari apo dallime.

A di të gatuash; nëse po, çfarë?

Nuk di, por nëse duhet e bëj, nga gjërat më të vogla deri te ndonjë pastë. Por jo më larg se kaq. Edhe kaq kam kohë pa e bërë, në fakt.

Si i sheh pjesëtarët e tjerë të studios?

Si familje.

A bën ti shefin me ta?

Kurrë.

Sa i ndjek konkurrentët? Cili është kompozitori më i mirë për momentin? Po këngëtari?

I ndjek të gjithë aq sa kam mundësi t’i ndjek, ndërsa për kompozitor, sigurisht që Kledi Bahiti është një nga ata që vlerësoj shumë. Ka plot talente të rinj, të cilëve u duhet kohë për ta vërtetuar nëse do t’i rezistojnë kohës apo jo, por nuk mund të lë pa përmendur një nga miqtë e vjetër, i cili vazhdon i palodhur të bëjë muzikë të bukur, dhe ai është Adi Hila.

flori-1Cila është këngëtarja më e mirë sot në Shqipëri?

Ka plot zëra të mirë dhe disa janë vërtet të veçantë, por unë në një formë i jam përgjigjur me kohë kësaj pyetjeje. Mjafton të kujtosh se cila nga këngëtaret ka kënduar më shumë këngë të krijuara nga unë.

A ka krijimtaria e një kompozitori, një producenti një cikël? Në ç’fazë është cikli yt?

Gjithçka e ka një cikël. Nuk e di në çfarë faze jam, por një gjë është e sigurt, nuk jam në fazën fillestare.

Cila ka qenë puna jote e parë? Sa je paguar?

Sa jam paguar nuk e mbaj mend, por punët i mbaj mend, nga bojaxhi anijesh, te marangoz dhe tapicier; kuptohet, amator kam qenë, se po të isha specialist, mbase nuk do ishim këtu tani.

Sa shpesh bën pushime?

Fare.

Kur mendon të krijosh familje, në çfarë moshe?

Kur t’i kem kushtet dhe mundësitë.

A jeton ende në një shtëpi me mamin?

Po.

scroll to top