France Football e fshin sondazhin për Topin e Artë menjëherë pasi Messi e merr kryesimin

Ylli argjentinas i Barcelonës, Lionel Messi, nuk është pretendenti kryesor për ta fituar çmimin “Topi i Artë”, megjithatë ai mori 48 për qind të votave në sondazhin e organizuar nga France Football, të cilët e japin këtë çmim.

Mohamed Salahu ishte në vendin e dytë me 31 për qind të votave, ndërsa Cristiano Ronaldo u radhit i treti me vetëm tetë për qind të votave. Megjithatë, posa mori kryesimin Messi, France Football vendosi ta fshijë sondazhin, përcjell Gazeta Express.

 

Votat e publikut nuk janë të rëndësishme për këtë çmim, pasi që fituesi përcaktohet vetëm nga disa gazetarë të përzgjedhur të sportit. Megjithatë, vendimi i France Football për ta fshirë këtë sondazh i ka zemëruar shumë tifozë të futbollit.

 

Fillimisht, kur kishin votuar rreth 220 mijë persona, kryesimin e kishte Mohamed Salahu me 53% të votave të tifozëve në uebsajtin zyrtar të France Football, derisa Lionel Messi kishte mbetur shumë prapa në vendin e dytë me 28% të votave.

 

Çmimet e tjera të ngjashme me Topin e Artë, si ato për lojtarin më të mirë të FIFA-s dhe të UEFA-s, këtë vit i ka fituar ylli kroat i Real Madridit, Luka Modric. Megjithatë, për këtë çmim në media është përfolur se mund ta fitojë edhe një futbollist i Kombëtares së Francës, për shkak të triumfit në Kupën e Botës.

scroll to top