Gazeta italiane shkruan për infermieren shqiptare, Doriana Ruko, që po lufton në vijën e parë

gg.jpg

Artikulli i mëposhtëm është përkthyer nga media italiane La Gazzetta del Mezzogirono, shkruan revista Class.

“Nuk ishte një zgjedhje e thjeshtë, por as shumë e vështirë. Për mua Italia është vendi më i bukur në botë, edhe pse jam krenare që jam shqiptare, sepse ne shqiptarët jemi kështu, krenarë dhe të guximshëm. Unë Italinë kam filluar ta dua kur më dha mundësinë kem një të ardhme të mirë profesionale dhe e dua akoma më shumë tani që ndodhet në vështirësi të madhe për shkak të koronavirusit”, -është për t’u vlerësuar motivimi i 28-vjeçares shqiptare, Doriana Ruko, që me zemër vendosi t’i përgjigjet thirrjes së Mbrojtjes Civile për të marrë 500 infermierë nga e gjithë Italia për urgjencën e shkaktuar nga CoVid-19.

Një zgjedhje në linjë me veprimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili dërgoi në Itali 30 mjekë dhe infermierë.

“Forcën për këtë zgjedhje ma dha dashuria për bashkëshortin tim, Giuseppe, i cili ka qenë gjithmonë forca më e madhe për mua, si dhe familja ime”, -shprehet Doriana.

E lindur në Fier, një qytet i mrekullueshëm i Vendit të Shqiponjave dhe e diplomuar në Universitetin e Tiranës, [Doriana] ka një histori nga ato që të mësojnë shumë.

I ati i saj, Namiku, si shumë të tjerë, në vitet ’90 ka emigruar drejt Italisë për të siguruar një jetë më të mirë për katër vajzat e tij (Armelën dhe binjaket Fiorela dhe Francesca).

Ato janë rritur me nënën e tyre, Mimozën me shumë frikë: “Netëve, një zhurmë e vogël jashtë na bënte të dridheshim.”

Doriana shton: “Kam punuar fillimisht në Trani, me të moshuar që më kanë pasuruar jo vetëm shpirtin, por kanë kontribuar edhe në pasionin tim për kuzhinën italiane. Gjeta punë pranë Auxilium, falë Ritës, që ishte përgjegjësja ime dhe më dha mundësinë të punoja me ta. Hyra në shtëpitë e tyre, siç bën çdo infermiere që punon në banesa dhe jam përkushtuar në maksimum për të kuruar jo vetëm sëmundjet, por edhe njerëzit.”

“Kjo situatë urgjence globale na ka mësuar të njohim limitet dhe të përballojmë frikërat. Po na vendos në provë, duke na bërë të heqim dorë nga njerëzit e dashur dhe nga të mirat materiale që kemi. Sipërmarrësit heqin dorë nga fitimet e tyre. Gjyshërit heqin dorë nga dashuria e nipërve. Mjekët vendosin në rrezik jetën e tyre për të shpëtuar atë të të tjerëve. Të pranoja të vihesha në vijën e parë nuk ishte e vështirë, pasi e dua profesionin tim dhe përpiqem gjithmonë t’i ndihmoj ata që janë në nevojë. Me kënaqësi do t’u jap kontributin dhe mbështetjen time kolegëve që në këtë moment janë të mbytur me punë dhe nuk munden as të pushojnë që të jenë të kthjellët. Në këtë situatë të gjithë mundemi dhe duhet të bëjmë diçka dhe unë zgjodha të bëj atë që di të bëj më mirë dhe që kam më përzemër – të jap kontributin tim që të dalim nga kjo gjendje sa më parë.”

Përfundimi: “Dua të nënvizoj që duhet të mbrohemi nga ky armik i padukshëm, duke përdorur të gjitha masat dhe mjetet e mbrojtjes individuale, në mënyrën e duhur. Siç tha dhe ministri i shëndetësisë, duhet të vazhdojmë të mbajmë distancën sociale. E di që nuk është diçka e lehtë, por është e vetmja gjë efektive që mund të bëjmë.”

Faleminderit (në shqip)

Për informata më të detajuara për situatën me virusin korona, klikoni në këtë link: http://gdi.mk/corona/

scroll to top