Gjithçka gati për mbledhjen e përbashkët me Kosovën

qeveri.jpg

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani ka thënë se mbledhja e përbashkët në mes Qeverisë së Maqedonisë dhe Kosovës do të mbahet shumë shpejt. Sipas tij, pjesa më e madhe e marrëveshjeve që do të duhet të nënshkruhet janë të gatshme dhe pritet që kryeministrat Zaev dhe Haradinaj të dakordohen për datën, shkruan gazeta KOHA.

“Unë dhe zoti Enver Hoxha jemi koordinatorë në organizimin e kësaj mbledhje të përbashkët, dhe ekipet tona kanë pasur takim para disa ditëve, për të rrumbullaksuar marrëveshjet që do të nënshkruhen. Mirëpo, dita finale duhet të dakordohet ndërmjet dy kryeministrave. Paraprakisht ishin dakorduar që mbledhja të mbahet në muajin maj, mirëpo për shkak të zgjedhjeve ishte caktuar që të mbahet menjëherë pas zgjedhjeve. Unë pres kryeministrin të kthehet dhe ta informoj se ne jemi gati që të mbajmë që nesër mbledhjen. Edhe zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Enver Hoxha, më informoi se janë gati, dhe tani mbetet vetëm zoti Haradinaj dhe Zaevi ta caktojnë datën e kësaj mbledhje”, tha Osmani.

Ai këto komente i ka bërë gjatë qëndrimit të tij në Universitetin e Tetovës, ku edhe mbajti një ligjëratë për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.

”Jam këtu në Universitetin Shtetëror të Tetovës për të promovuar aksionin e Sekretariatit për çështje europiane që është në funksion të riaktivizimit të të gjitha aspekteve shoqërore në pritje të vendimit të madh të fillimit të bisedimeve me Bashkimin Europian. Është një aksion që e kemi quajtur ‘Përmes dijes deri te metropola europiane’, kemi hapur një garë të studentëve të shkencave shoqërore pranë universiteteve shtetërore në Maqedoninë e Veriut që nëpërmjet eseve, të përshkruajnë njohuritë e tyre mbi idenë europiane dhe mbi perspektiven tonë për anëtarësim ne Bashkim Europian. Më të mirët do të vlerësohen dhe shpërblehen me një vizitë studimore në Bruksel të organizuar nga Sekretariati për çështje europiane me qellim që të rinjtë t’i përafrojmë me idenë europiane, por edhe me institucionet e BE-së”, u shpreh Osmani.

Ai tha se jemi në fazën finale për anëtarësim, fazë në të cilën nuk është më çështje se a do jemi, por kur do jemi anëtarë të Bashkimit Europian. “Këto studentë nesër do të jenë bartës të këtyre bisedimeve dhe bartës të procesit të bashkëpunimit me Bashkimin Europian”, deklaroi Osmani.

scroll to top