Gjukanoviq: Mund të flasim për Demarkacionin

Shërbimi për Marrëdhënie me Publikun në Qeverinë e Malit të Zi, përmes një komunikate për media, ka reaguar ndaj mospajtimeve në Kosovë rreth marrëveshjes me Malin e Zi për shënjimin e kufijve shtetërorë.
Duke i konsideruar këto mospajtime si çështje të brendshme të Kosovës, sipas komunikatës, Qeveria e Malit të Zi mbron qëndrimin se marrëveshja për demarkacionin është vendosur sipas kufijve administrativë në ish-Federatën Jugosllave, mirëpo nëse dikush ka dyshim për këtë, Qeveria e Malit të Zi shprehet e gatshme ta konsiderojë çdo vërejtje, pasi Mali i Zi nuk dëshiron mosmarrëveshje me fqinjët.
Më poshtë, komunikata e plotë të Qeverisë së Malit të Zi:
Me kërkesën e disa mediave vendore dhe të huaja, të cilat kërkuan një koment për raportet e medieve rreth deklaratave të zyrtarëve të Republikës së Kosovës në lidhje me kufirin shtetëror ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës, Qeveria e Malit të Zi, Shërbimi për Marrëdhënie me Publikun informon opinionin se, ne mospajtimet në Prishtinë në lidhje me marrëveshjen për përcaktimin e kufirit me Malin e Zi, i konsiderojmë çështje të brendshme të Kosovës.
Ne mbrojmë qëndrimin se Marrëveshja zyrtarisht konfirmon kufijtë administrativë në pajtim me Kushtetutën e ish- Federatës Jugosllave të vitit 1974. Nëse ka dyshime se nuk është kështu dhe është bërë ndonjë gabim, ne jemi të gatshëm të marrim parasysh këtë, pasi nuk dëshirojmë mosmarrëveshje me fqinjët tanë, duke i pasur parasysh interesat kombëtare dhe shtetërore të Malit të Zi.
Ky është mesazhi që Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ia ka përcjell Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe zyrtarëve të tjerë të Kosovës.

scroll to top