Gjykata Speciale injoron Drejtorinë e Burgjeve për ta intervistuar Sylejman Selimin

Zyra e Prokurorit të Specializuar po injoron krejtësisht autoritetet kosovare, në rastin e Sylejman Selimit, që pas dy ditësh pritet të intervistohet nga Haga, për krime lufte. Ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së ndodhet në burg në Kosovë dhe nga ky institucion ZPS-ja nuk ka kërkuar asnjë leje që do të mundësonte praninë e Selimit për intervistim nga Specialja. ZPS-ja tregon për pasojat që mund t’i ketë Selimi, në rast se të mërkurën nuk shkon në Hagë, të parapara në ligjin për Gjykatën Speciale

Sylejman Selimi, më 9 janar 2019 do të duhet të intervistohet nga Haga. Por, dy ditë para se kjo të ndodhë, autoritetet në Kosovë nuk e dinë se si Zyra e Prokurorit të Specializuar do të mundësojë praninë fizike në Hagë të ish-komandantit të Përgjithshëm të UÇK-së, që ndodhet i dënuar në burgun e Dubravës.

Kjo pasi, ZPS-ja nuk ka komunikuar për asnjë moment me drejtorinë e Burgjeve të Kosovës, për rastin Selimi.

Këtë e konfirmoi të hënën për Gazetën Express, Nehat Thaçi, Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës.

“Deri me tani nuk kemi marrë kurrfarë njoftimi nga askush deri me sot”, tha ai përmes telefonit.

Por, ai tregon se për rastet si ai Sylejman Selimit janë në kontakt me Zyrën për Koordinimin e Mbrojtjes Juridike për të Akuzuarit Potencialë nga Dhomat e Specializuara dhe Prokurori Special, që operon në Prishtinë, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

“Ne do të kemi një takim gjatë javës me Zyrën që është hapur në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë dhe do të marrim udhëzime se si do të veprohet”, thotë ai për komunikimin me zyrën që drejtohet nga Driton Laçi.

Ky i fundit, në një bisedë për Gazetën Express tha se sapo është kontaktuar nga drejtori i burgjeve të Kosovës, ka komunikuar më Hagën për ta sqaruar këtë çështje dhe ka marrë një përgjigje.

“Unë menjëherë kam kontaktuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar në lidhje me këtë çështje dhe menjëherë më është përgjigjur. Ata kanë thënë se në momentin që ata e vlerësojnë të nevojshme do të kontaktojnë Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe do të kërkojnë bashkëpunim”, tha Driton Lajçi, të hënën.

Tutje, ai sqaron se Dhomat e Specializuara për Kosovën dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, mund të thirren në nene ligjore të votuara me Ligjin për Gjykatën Speciale në gusht të vitit 2015, që u jep mundësi atyre të kenë qasje apo autoritet në të gjitha institucionet e Kosovës. Në këtë rast, edhe me Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Për këtë autoritet, pak ditë më parë, për Gazetën Express ishte deklaruar edhe zëdhënësi i ZPS-së Christopher Bennet, duke folur për rastin e ftesës së Sylejman Selimit i njohur gjatë luftës si “Sulltani”.

“Zyra e Prokurorit Special e ka autoritetin që, mes tjerash, ta kërkojë praninë e të dyshuarve, viktimave dhe dëshmitarëve dhe t’i marrë në pyetje ata, të mbledhë dhe të hulumtojë të dhëna dhe të marrë vendime për fillimin, vazhdimin ose përfundimin e hetimeve për rastet kriminale”, kishte thënë ai më 27 dhjetor 2018.

Të njëjtën gjë, fjalë për fjalë, Bennet e ka përsëritur edhe të hënën në një tjetër përgjigje me email. Ai po ashtu ka përsëritur se Zyra e Prokurorit të Specializuar vazhdon të mos komentojë “statusin e hetimeve dhe as raportimet e medieve” në Kosovë.  

Tutje, Zëdhënësi i zyrës që drejtohet nga amerikani Jack Smith, i pyetur për rastin e thirrjes së Sylejman Selimit dhe mundësinë që intervistimi i tij të mos ndodhe më 9 janar 2019, siç është paraparë me thirrjen e Hagës, ka cituar nëntë pikat e nenit 42 të ligjit të Gjykatës Speciale, që rregullon çështjen e ftesave për dëshmitarët dhe pasojat e dështimit të paraqitjes në gjykatë pas pranimit të ftesës.

Ky nen ligjor thotë se “Dhomat e Specializuara ose Prokurori i Specializuar mund të thërrasin ndonjë dëshmitar nëse ekziston mundësia që ai të ketë informacion në lidhje me ndonjë vepër penale, kryesin e veprës penale ose rrethanat e rëndësishme për procedurën penale”.

Pika 3 e nenit 42 obligon “çdo person që është i pranishëm në Kosovë dhe që thirret si dëshmitar e ka për detyrë t’i përgjigjet thirrjes dhe të dëshmojë përveç nëse parashihet ndryshe në këtë ligj ose në Rregullat e Procedurës dhe Provave të Dhomave te Specializuara”.

Ky nen tregon se Dëshmitarëve që udhëtojnë për në selinë e Dhomave të Specializuara do t’ju sigurohet udhëtimi, akomodimi si dhe mëditjet për shpenzimet e udhëtimit e tyre sipas nevojës.

Po ashtu, ky nen thotë se në rastet kur Dhomat e Specializuara kërkojnë, gjykatat e Kosovës dhe zyrtarët e tyre do të ndihmojnë për dërgimin apo zbatimin e thirrjeve të dëshmitarëve të lëshuara nga Dhomat e specializuara.

“Mbrojtja e dëshmitarëve, siguria dhe konfidencialiteti merren parasysh dhe shqyrtohen para çdo kërkese të tillë”, thotë pika 5 e nenit 42 të Ligjit special.

Tutje i njëjti nen parasheh se nëse një person nuk i përgjigjet në mënyrë të rregullt thirrjes së Hagës për intervistim ose nuk e arsyeton mosparaqitjen e tij ose në qoftë se ai largohet nga vendi ku ai duhet të merrej në pyetje pa leje apo ndonjë arsye të vlefshme, ai dëshmitar mund të detyrohet të paraqitet dhe mund të gjobitet deri në dyqind e pesëdhjetë (250) euro për secilën herë që ai ose ajo nuk paraqitet.

Me të njëjtën gjobë parashihet të dënohen edhe të thirrurit refuzojnë të dëshmojë pa arsyetim ligjor. Madje nëse një gjë të tillë vazhdon të ndodhë, ligji parasheh që pasi të jetë gjobitur, ai/ajo mund të burgoset.

“Burgimi zgjat për aq kohë sa dëshmitari refuzon të dëshmojë apo derisa dëshmimi i tij bëhet i panevojshëm, ose derisa procedura penale të përfundojë, por nuk e tejkalon periudhën prej një (1) muaji”, thotë pika e 8, e parafundit, e nenit 42 të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Ndryshe, Gazeta Express, në fund të dhjetorit të vitit të shkuar ka raportuar se ish-Komandanti i Përgjithshëm i UÇK-së, Sylejman Selimi, më 9 janar 2019 do të udhëtojë për në Hagë. Sipas raportimit, ish-ambasadori kosovar, aty do të intervistohet për krime lufte nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, për veprimtarinë e tij sa ishte figura kryesore në hierarkinë e kësaj lëvizjeje ushtarake për çlirimin e Kosovës, e krijuar në vitet ’90.

Selimi, që pas luftës ka qenë edhe ish-komandat i përgjithshëm i TMK-së e më pas edhe FSK-së, udhë për në të ashtuquajturën Gjykatë Speciale do të duhet ta marrë nga burgu i Dubravës, ku aktualisht po vuan një dënim për krime lufte, të shqiptuar nga ndërkombëtarët në Kosovë.

Dënimi prej 7 vitesh burgim në një nga rastet e njohura si “Drenica” atij i është vërtetuar nga Gjykata Supreme e Kosovës, vetëm pak muaj më parë.

Ftesë nga Specialja, ka marrë edhe një tjetër ish i akuzuar në rastin “Drenica”, që për dallim nga Selimi, kishte dalë i pafajshëm gjatë gjykimit të tij në Kosovë.

Bëhet fjalë për Sami Lushtakun, ish-komandantin e Zonës Operative të Drenicës, që pas lufte u aktivizua në politikë duke u bërë shpejt figura kryesore e Partisë Demokratike të Kosovës.

Ish-kryetari i Skenderajt, para Hagës do të deklarohet më 14 janar 2019 të këtij viti. Për të njëjtën ditë, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ftuar për intervistim edhe ish-komandantin e Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, i njohur si Remi.

Përveç tyre, ftesa të ngjashme kanë marrë të paktën 10 ish-pjesëtarë të UCK-së dhe figura të kësaj lëvizje ushtarake për çlirimin e Kosovës, që ka ekzistuar gjatë viteve ’90.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, e cila deri më tash nuk ka komentuar pothuajse asgjë gjë rreth ftesave dhe hetimeve që po kryen, thirrje për në Hagë i ka dërguar edhe një ish-komandati tjetër të njohur, nga rajoni i Drenicës.

Më vonë është zbuluar se bëhej fjalë për Sabit Gecin, i dënuar në Kosovë për krime lufte, por që nuk është në vuajtje të dënimit. /M.Gj./GazetaExpress/.

scroll to top