Grubi: Problemi qëndron tek blloku maqedonas

Në emisionin “Rruga Drejt”, në Alsat-M, deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Artan Grubi dhe Kryetari i SHGM Naser Selmani, përveç arritjes së marrëveshjes për mediat ata diskutuan edhe çështjen e partneritetit me partinë maqedonase VMRO si dhe për problemet politike në vend.
Në aspektin e lirisë së medias, Grubi theksoi se për dallim nga VMRO, Bashkimi Demokratik për Integrim asnjëherë nuk ka tentuar që të influencojë apo të kushtëzojë mediat shqiptare në vend, veprim i cili ka krijuar media të fuqishme dhe kredibile sikurse Alsat-M, përkundër mediave në gjuhën maqedonase të cilat pak a shumë kontrollohen politikisht.

Gjatë emisionit ndodhi edhe që të ngritet zëri dhe të drejtohet gishti nga ana e Naser Selmanit i cili denonconte politikëbërjen, mirëpo Grubi me një gjakftohtësi dhe arsye të shëndoshë i qetësoi gjakrat duke i përkujtuar Selmanit se është duke diskutuar më tepër për çështjet që i përkasin partive politike sesa për çështjet që duhet të diskutojë si kryetar i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë.

Selmani potencoi se është BDI ajo që e mban në pushtet VMRO-në duke mos lëshuar qeverinë ndërsa Grubi u kundërpërgjigj se nuk do të bënte dallim një veprim i tillë pasiqë do e dërgonte vendin përsëri në zgjedhje të parakohshme pas të cilave përsëri do të jenë fituese partitë e njejta.
Në çështjen e partneritetit me VMRO ai theksoi se nuk është BDI ajo që e zgjedh partnerin por është populli maqedonas, BDI mundohet që të veprojë Brenda mundësive dhe bën kompromise duke marrë parasysh rrethanat dhe stabilitetin e vendit.

Në lidhje me zhvillimet e fundit në vend, Grubi u shpreh optimist duke thënë : “Ka ngelur vetëm marrëveshja për mediat, Marrëveshjes së Ohrit dhe çështja e korrupsionit, dhe shpresoj që shumë shpejt do të arrihet marrëveshje edhe për këto pika”.

scroll to top