Gruevski dhe Boshkovski ende të pakapshëm

Ish shefi i drejtorisë së pestë në DSK, Goran Grujevski dhe kolegu i tij Nikolla Boshkovski, akoma të pakapshëm për MPB-në. Deri më tani janë hetuar dhjetëra lokacione, por informacionet që posedon dikasteri i Brendshëm nuk janë të karakterit publik. Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski nuk dha detaje se cilat janë rrugët operacionale për kapjen e dy të akuzuarve të PSP-së. Spasovski akuzon Gjykatën Supreme se ka ndihmuar Grujevskin dhe Boshkovskin të arratisen.

Nuk i lejoi MPB të arratisen, këtë e bëri gjykata. Nëse pyesni pak do të vërtetoheni se në seancë të Apelit, njëri prej tyre nuk ishte prezent. Kjo mund të vërtetojë se që atëherë, njëri prej tyre nuk ka qenë në Maqedoni – deklaroi Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.

I pyetur në lidhje me identitetet e tjera të mundshme të Grujevskit, ministri i Brendshëm konfirmoi se persona të Shërbimit shtetëror posedojnë identitete të ndryshme, megjithatë vetëm për detyra zyrtare. Sipas tij, derisa sa po hetohet në gjetjen e Grujevskit dhe Boshkovskit, procedurë hetimore po zbatohet edhe ndaj personave që ndihmuan arratisjen e tyre.

Shihet qartë se këtu kemi të bëjmë me një ndërlidhje të fortë mes Prokurorisë Publike, Gjykatës dhe strukturave nga Qeveria e kaluar të cilët mundësuan largimin e tyre nga shteti. Ndaj këtyre personave po zhvillohet procedurë e caktuar hetimore dhe besoni se me këtë do të arrijmë deri tek personat tjerë të cilët ndihmuan arratisjen dhe ndaj tyre do të merren masat e duhura – theksoi Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.

Dy të dyshuarit e Speciales në rastet “Fortesa” dhe “Target” Grujevski dhe Boshkovski që nga 18 korriku kur edhe Gjykata e Apelit i shqiptoi masën e paraburgimit janë të pakapshëm për organet e rendit. Ata akuzohen nga PSP-ja për shkatërrimin e pajisjeve për përgjim.

scroll to top