Gruevski, Jankulovska, Stavrevski, Mijalkov do të dëshmojnë para komisionit

Kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski është dëshmitari i parë, që duhet të dalë përpara Komisionit hetimor në Parlament, për skandalin e përgjimeve.

Pas tij, me kërkesë të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, para komisionit do të dëshmojnë edhe ministri i Financave, Zoran Stavrevski, ish-ministrja e Brendshme, Gordana Jankulovska, ish-ministri i Transportit Mile Janakievski, ish-shefi i Shërbimit Sekret, Sasho Mijalkov dhe Martin Protugjer, shef i kabinetit të kryeministrit.

Pas këmbënguljes së VMRO-DPMNE-së, komisioni ka vendosur që këto seanca të mos jenë publike.

“Vlerësojmë se, këta janë personalitete të rëndësishme politike, që posedojnë informacione të duhura për rastin. Ne si parti nuk kemi çfarë të fshehim, ndaj dhe kërkojmë që e vërteta të zbardhet sa më parë”, tha Antonio Miloshovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Sipas LSDM-së, përmes mbylljes së seancave, VMRO-DPMNE-ja po kërkon të fshehë nga qytetarët aferat e e funksionarëve të saj.

“Është e qartë se VMRO-DPMNE-ja nuk dëshiron të zbatohet marrëveshja për funksionimin e Komisionit hetimor, që ka për detyrë të vërtetojë përgjegjësinë politike për zyrtarët e pushtetit, që kanë keqpërdorur pozitat e tyre”, tha Petre Shilegov, deputet i LSDM-së.

Komisioni hetimor, që pritet të vërtetojë përgjegjësinë politike për përgjimin ilegal dhe përmbajtjen e materialeve të përgjuara, ka miratuar të enjten planin e punës. Raporti i këtij komisioni duhet të jetë gati deri më 31 janar të vitit 2016.

scroll to top