Haradinaj: Do ta pengojmë seancën parlamentare të së hënës

Partitë opozitare nuk do të lejojnë mbajtjen e seancës së radhës të Kuvendit të Kosovës, e cila është paralajmëruar për të hënën. Pengimin edhe të kësaj seance e ka konfirmuar për KosovaPress kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj.

Ai bëri të ditur se kjo seancë do të kundërshtohet, ndërsa ceku se kundërshtimi mund të jetë në forma të ndryshme.

Haradinaj: Do ta kundërshtojmë edhe këtë seancë

“Jemi në diskutim e sipër si opozitë për mënyrën e kundërshtimit. Kundërshtimi vazhdon i mbajtjes së seancave , pa u anuluar marrëveshjet. Jemi po ashtu në aktivitet edhe në terren me tubimet. Pra do të jetë një formë e kombinuar e kundërshtimit edhe për këtë seancë të radhës”, tha Haradinaj.

Në lidhje me fjalimin e fundvitit të presidentes Atifete Jahjaga, Haradinaj ka vlerësuar se ky fjalim është i pakuptimtë.

Haradinaj: Fjalimi i Presidentes është i pakuptimtë

“Sa i përket fjalimit të presidencën ende nuk kemi vendosur. Por nuk ka kuptim mbajtja e një fjalimi në rast se marrëveshjet nuk janë anuluar”, shtoi Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se kundërshtimi i marrëveshjes së Asociacionit të Komunave Serbe dhe asaj për demarkacionin me Malin e Zi do të vazhdojë me tubime nëpër qytetet kryesore të Kosovës.

Opozita e bashkuar ditë më parë ka bërë me dije se tubimi protestues i radhës do të jetë këtë të shtunë në Gjilan, ndërsa të hënën në Pejë.

Haradinaj mori pjesë në ceremoninë në Kolegjin Fama, me rastin e shpalljes Doctor Honoris Causa të politikanit dhe diplomatit amerikan Marshall Harris.

scroll to top