Ish-zëvendëspresidenti i Barçës: S’e di nëse Messi do ta vazhdojë kontratën me Barcelonën

messi10.png

Ish-zëvendëspresidenti i Barcelonës, Jordi Mestre, nuk është i sigurt nëse Lionel Messi do ta vazhdojë kontratën me klubin katalonas, në një kohë thashethemesh për largimin e tij në fund të sezonit.

Zënka publike mes Messit dhe drejtorit sportiv të Barcelonës, Eric Abidal, kanë nxitur thashethemet se argjentinasi mund të largohet nga Camp Nou në verë, transmeton Gazeta Express.

Një klauzolë në kontratën e tij me kampionin spanjoll, ia mundëson Messit të largohet si lojtar i lirë kurdo që ai do.

Ndodhitë e fundit i kanë ushqyer thashethemet se Messi mund të kalojë në Manchester City, Paris Saint-Germain, Juventus, Manchester United apo Inter.

Messi ka kontratë me Barçën deri në vitin 2021 dhe ende nuk i ka nisur bisedimet për vazhdimin e saj.

“Nuk kam ide nëse ai do ta vazhdojë kontratën”, tha Mestre për Radio MARCA.

“Babai i tij bisedon për rinovimin. Unë gjithmonë i respektoj kontaktet me lojtarët. Unë ndërhyja vetëm kur ishte momenti për të biseduar”, shtoi ai. /Gazeta Express/

scroll to top