Ismaili: Qeveria e re do të tërhiqte nënshkrimet pa asnjë problem

Deputeti i Vetëvendosjes, Fisnik Ismaili është në arrest shtëpie, për shkak se dy ditë më parë i janë gjetur dy bombola gazi lotsjellës teksa përpiqej të futej në Kuvend. Ai është një nga protagonistët kryesorë të protestave të opozitës brenda dhe jashtë Kuvendit.

Në një intervistë për “Shekulli”-n, Ismaili rrëfen momentet e arrestimit të tij dhe të gjithë dinamikën e ngjarjeve të fundit në Kosovës. Ndërhyrjen e forcave speciale në zyrat e Vetëvendosjes, ai e krahason me ata që vranë terroristët në Paris, ndërsa lëshon akuza për një pjesë të oficerëve të policisë, për të cilët thotë se urdhërohen nga qeveria, siç dhe sqaron se shumica e policëve janë pro kauzës së tyre.

Ismaili thotë se ngërçi institucional kalohet vetëm nëse qeveria heq dorë nga marrëveshja, zgjidhje të ndërmjetme, përveç anulimit të marrëveshjeve nga ana e qeverisë thotë se nuk ka.

“Nëse ata nuk e kanë guximin ta tërheqin firmën që kanë vënë në marrëveshje, atëherë ata duhet të dorëhiqen në mënyrë që të krijohet qeveria e re e cila pa problem e tërheq firmën”, thotë deputeti i VV-së.

Shekulli: Zoti Ismaili, jeni arrestuar dy ditë më parë në ambientet e Kuvendit, ndërsa tani jeni në arrest shtëpie, me kusht. A mund të na përshkruani momentet e shoqërimit tuaj në stacionin policor?

Ismaili: Aktualisht jam në arrest shtëpie, me kusht. Në përpjekje për të hyrë në Kuvend kisha me vete dy mjete që ishin të ndaluara, sipas policisë. Ky është përdorur si pretekst për të më arrestuar. Në momentin e arrestimit unë nuk rezistova dhe pse forcat speciale që ishin aty, u përpoqën të ndërhynin, por unë këmbëngula që ata të mos më preknin. I premtova se do të shkoja vetë në makinën e policisë. E di që forcat policore kanë detyrë të rëndë, pasi shumica e përkrahin kauzën tonë, por nga ana tjetër i kërkohet të zbatojnë urdhrat e eprorëve të tyre dhe janë, si të thuash, mes dy zjarreve.

Shekulli: Ju keni pasur vërejtje për mënyrën e reagimit të policisë së Kosovës, duke i akuzuar shpesh dhe si të kontrolluar nga politika?

Ismaili: Kemi patur pakënaqësi për forcat e njësitit special me të cilët jemi ballafaquar në rrugë. Në mesin e tyre unë kam miq dhe shokë të luftës, por aty ka dhe policë “kapadai” që godasin tinëz, hedhin spraj në sy pa paralajmërim, të cilët provokojnë dhe stisin konflikte. Ndaj këtyre policëve unë kam vërejtje. Ndërsa pjesa e policëve që më morën shenjat e gishtërinjve dhe që më shoqëruan gjatë orëve që qëndrova brenda nuk kam asnjë vërejtje. Ishin shumë korrektë.

Shekulli: Keni akuzuar policinë se merr urdhra nga qeveria. Sa qëndron ky pretendim?

Ismaili: Absolutisht që ka shumë policë që marrin direktiva nga njerëz të caktuar në qeveri. Ose ka pasur raste që në ballafaqimet me policët e njësive speciale ata nuk kanë pasur numra në uniforma për të dalluar çdo anëtar të forcave të rendit. Më e pafalshme është se në mesin e forcave speciale flitet, se ka pasur njerëz që nuk janë policë, ose ka pasur dhe serbë të veriut, të cilët na kanë sulmuar dhe na kanë provokuar, duke na goditur në mënyrë që turma të reagojë dhe të fillojë konflikti.

Shekulli: Ka një opinion të përgjithshëm në Kosovë se qytetarët në masë kanë një lloj ndjenje të lëkundur ndaj çfarëdo lloj skandali që mund të ndodhë. A ekziston një lloj pasiviteti në masë dhe si pasojë e kujt ka ardhur nëse është e vërtetë ?

Ismaili: Ka një lloj frike për të reaguar në Kosovë. Qëllimi i kësaj qeverie është që përmes dhunës së policisë ndaj çdo lloj proteste, të shkaktojë te qytetarët një lloj frike për të mos u ngritur. Për të shpjeguar situatën e krijuar në Kosovë unë përdor citimin e Jeferson për kohën kur amerikanët u çliruan nga britanikët: Kur padrejtësia bëhet ligj atëherë rezistenca bëhet detyrë.

Ajo që ndodhi në selinë qendrore të Vetëvendosjes është tmerri vetë. Unë pajtohem me zbatimin e ligjit. Për Albinin ka pasur një fletë-arrest dhe policia duhet të kryejë detyrën, duhej ta arrestonte. Por dërgimi i 1500 forcave speciale, për të arrestuar Albinin, ku ndër ta kishte dhe forca elitë, të cilët janë futur në ndërtesë, është e tepruar. Ai njësit special është vetëm për të arrestuar terroristë, kriminelë të kalibrit të lartë dhe jo deputetë të përzgjedhur nga populli që bëjnë përpjekje për të ndaluar ndarjen e Kosovës. Skenat e policisë speciale në Kosovë ishin të ngjashme me skenat ku vriteshin terroristët në Paris. Ato skena u ngjanin bastisjeve të policisë serbe në vitet ’90 në shtëpitë e shqiptarëve të Kosovës. Ishin skena të një shteti policor dhe që nuk ngjante me shtetin demokratik që pretendojmë se i takojmë. Ne tashmë kemi një shtet diktatorial që udhëhiqet nga Mustafa dhe Thaçi.

Shekulli: Cili është aksioni i radhës nga opozita?

Ismaili: Nuk do të tërhiqemi. Do të vijojmë të bllokojmë Kuvendin deri në refuzimin e marrëveshjes. Duhet theksuar se 75 për qind e popullit është kundër “Zajednicës”. Përderisa qytetarët janë kundër dhe kjo marrëveshje është kundër Kosovës, pse u dashka lejuar. Nuk do të zmbrapsemi deri në tërheqjen e nënshkrimit të “Zajednicës” dhe rishikimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Shekulli: Edhe pas situatës së krijuar ju nuk mendoni se duhet kërkuar rrëzimi i qeverisë?

Ismaili: Nëse ata nuk e kanë guximin ta tërheqin firmën që kanë vënë në marrëveshje, atëherë ata duhet të dorëhiqen në mënyrë që të krijohet qeveria e re e cila pa problem e tërheq firmën. Nuk ka zgjidhje të ndërmjetme, përveç anulimit të marrëveshjeve. Vetëm kështu kthehet normaliteti në institucione. Ne e kemi kundërshtuar me të gjithë format. Qëndrim i qytetarëve përmes peticionit të nënshkruar më herët nga 205 mijë qytetarë , të cilët i kanë kundërshtuar këto marrëveshje; përmes manifestimit që e patëm me 28 nëntor, ku mbi 35 mijë njerëz ishin aty të pranishëm. Ju e keni parë se ky pushtet nuk është i interesuar për dialog. Ky është pushtet, me dhunë do që ta zbatojë “Zajednicën”. Nuk mund të ketë kurrfarë dialogu, për sa kohë që pushteti vendoset njëqind për qind në funksion të interesave të Serbisë.

Shekulli: Keni përdorur gazi lotsjellës në Kuvend. A është kjo shkelje e ligjit?

Ismaili: Gazi lotsjellës i përdorur ne, nuk është armë. Ne konsiderojmë se përdori i gazit nga ne ka qenë e vetmja formë për të ndaluar “Zajednicën”. Kjo ka qenë një metodë e protestës, e cila ka qenë e domosdoshme, duke e pasur parasysh qëndrimin arrogant dhe shpërfillës të këtij pushteti karshi interesit të Republikës dhe qytetarëve. Si deputetë të Republikës së Kosovës, ne e kemi për obligim dhe detyrë dhe detyrë që ta mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit, gjë që po e bëjmë tani me këto metoda. Jam i vetëdijshëm që metoda, veçanërisht gazi lotsjellës apo ndezja e bombolave të gazit lotsjellës në Kuvend nuk ka qenë e pëlqyer për ne, mirëpo, duhet ta kemi parasysh që qeveria ka sjellë një gjendje të një jashtëzakonshme në Republikën e Kosovës me vendimet dhe marrëveshjet e saj dhe si e tillë, natyrisht që ne i jemi përgjigjur kësaj gjendjeje me metodat, të cilat i kemi pasur në dispozicion.

scroll to top