Ivanov në sesionin e 71-të të Asamblesë së Përgjithshme të KB-së në Nju-Jork

Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov prej sot deri më 23 shtator 2016, do të qëndrojë në vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të marrë pjesë në sesionin e 71 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork.

Presidenti Ivanov, siç kumtojnë nga kabineti i tij, do të ketë fjalim në debatin e përgjithshëm të sesionit 71 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara me temë “Qëllime të qëndrueshme zhvillimore: presion universal për transformimin e botës tonë”. Njëherësh, presidenti i Maqedonisë do të mbajë fjalim në sesionin plenar në takimin e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara kushtuar lëvizjeve të refugjatëve dhe emigrantëve.

Në kuadër të pjesëmarrjes së Asamblenë e Përgjithshme të KB-së është paraparë presidenti Ivanov të realizojë takim me Sekretarin e Përgjithshëm të KB-së, Ban Ki-mun si dhe më shumë takime të tjera bilaterale me shtetet dhe qeveritë, pjesëmarrës në Asamblenë e Përgjithshme.

Gjatë vizitës së punës në Nju-Jork, presidenti Ivanov do të realizojë takim me përfaqësuesin e lartë të KB-së për Aleancën e civilizimeve, Nasir Abdulaziz Al-Naser dhe do të nënshkruhet Memorandum për bashkëpunim midis FOC – Fondacioni Aleanca e civilizimeve nga Shkupi dhe UNAOC – Aleanca e civilizimeve të Kombeve të Bashkuara.

Në kuadër të vizitës së punës së SHBA-së, presidenti i Maqedonisë do të realizojë takim edhe me përfaqësuesit e diasporës së Maqedonisë në Nju-Xhersi.

Presidenti Ivanov gjatë vizitës në Nju-Jork shoqërohet nga bashkëshortja e tij Maja Ivanova, e cila në kuadër të programit të damave do të marrë pjesë në më shumë ngjarje, në mesin e së cilave edhe në Konferencën e 9-të vjetore me fokus në autizmin, në organizim të fondacionit “Autizmi flet”. Ivanova me ftesë të bashkëshortes së presidentit të SHBA-së, do të marrë pjesë në pritjen të cilën e organizon Mishel Obama, si dhe në pritjen në organizim të bashkëshortes së Sekretarit të përgjithshëm të KB-së, Ban Son-Taek.

Në delegacionin zyrtar të kryesuar nga presidenti Ivanov është edhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë, Nikolla Poposki.

scroll to top