Ja çfarë u vendos për Shengen

Pra, jo pezullim të Shengenit, pasi pezullimi nënkupton prekjen tërësore të këtij sistemi. Aktualisht këto kontrolle po kryhen nga disa vende anëtare, pasi mundësohen nga hapësira që krijon vetë Kodi Shengen, Neni 26 i tij, në kombinim me Nenin 23 dhe 25. Kontrolle, që vendosen të kushtëzuara nga rrethana të jashtëzakonshme, kur ato përbëjnë një kërcënim për rendin publik dhe sigurinë e brendshme dhe që mund të shtyhen deri në tri herë, por nëpërmjet një procedure më të komplikuar.

Ajo çfarë ka ndodhur aktualisht me vende të ndryshme anëtare është se ato kanë vendosur që prej muajit shtator kontrolle kufitare, në pamundësi të alternativave të tjera, në përballje me krizën e refugjatëve.
Ndonëse hapësira e Kodit Shengen e lejon këtë vendosje të kontrollit kufitar, problematika shtrihet gjithashtu edhe tek konsultimet paraprake të detyrueshme për vendet anëtare, me fqinjët e tyre. Konsultime, që presupozohet të lehtësojnë bashkëpunimin dhe mirë koordinimin mes tyre.
Një zgjatje e mëtejshme e këtij afati 6-mujor që mundëson Kodi Shengen duhet detyrimisht të kalojë nëpërmjet një procedure për miratim nga Këshilli, pas një propozimi që duhet të dalë nga Komisioni Evropian, gjithmonë në përputhje me Nenin 26 të Kodit Shengen.
Rekomandim, që mund të miratohet në rrethana të jashtëzakonshme për të adresuar një situatë, ku pasi është vlerësuar funksionimi i Shengenit, janë identifikuar probleme serioze të vazhdueshme, në lidhje me kontrollet e jashtëm kufitarë.
Pra, kur në këto raste funksionimi në tërësi i hapësirës pa kufij të brendshëm vendoset në rrezik dhe për sa kohë që rrethanat e jashtëzakonshme përbëjnë një kërcënim serioz për politikat publike apo sigurinë e brendshme, në tërësi apo pjesërisht në zonën pa kufij të brendshëm, ajo që kërkohet është që periudha e rifutjes së kontrolleve kufitare të mundë të zgjatej në një maksimum prej dy vjetësh.
Çfarë vendosi Këshilli i Ministrave të Punëve të Brendshme të BE-së ? Në fakt, konkluzionet e Këshillit nuk përmendin absolutisht asgjë në lidhje me këtë pikë.
Ato flasin për avancimin në luftën ndaj terrorizmit, migrimin dhe marrëveshjen me Parlamentin Evropian për direktivën që lidhet me regjistrimin e të dhënave të pasagjerëve ajrorë apo dosje të tjera në diskutim, por aspak për hapësirën Shengen. Pra, ministrat e Unionit nuk i kërkuan ekzekutivit evropian aktivizimin e procedurës, që do të mundësonte krijimin e hapësirës dyvjeçare të kontrolleve të brendshme.
Përse? Hipotezat mund të jenë të shumta, ndër to mund të renditet fakti se përplasjet, si edhe ndjeshmëritë mes vendeve të caktuara anëtare mund të jenë të larta, sa momentalisht gjykohet të mos ketë avancime të parakohshme.
Por, ndërkohë është shënuar edhe një zhvillim interesant. Vetëm pak kohë më parë Gjermania, Belgjika, Holanda, Luksemburgu dhe Austria bënë publik planin e tyre për krijimin e një hapësire Mini-Shengen, në alternativë të një dështimi me hapësirën aktuale Shengen.
Kjo në logjikën e vendosjes së njëpasnjëshme të kontrolleve kufitare, në kuadrin e krizës së refugjatëve. Iniciativë, që ndonëse përmban në vetvete skenarin rezervë në rast të një rezistencë për t’iu rikthyer normalitetit,  mbarte më shumë trajtat e një kërcënimi, kryesisht ndaj vendeve të ish-Lindjes Komuniste, që kanë shfaqur një mungesë elasticiteti të vazhdueshëm përballë kësaj krize.
Çfarë ka ndodhur ndërkohë? Menjëherë pas kësaj iniciative vjen dhe reagimi i pritur politik nga vendet e Visegradit.
Të katër vendet, Hungari, Republikë Çeke, Poloni dhe Sllovaki, janë shfaqur të revoltuara duke e refuzuar kategorikisht këtë iniciativë dhe duke e konsideruar atë oportuniste:
“Propozimet oportuniste për transformim radikal të Shengenit aktual, në të ashtuquajturin Mini-Shengen në çfarëdolloj forme apo shkalle, direkte apo përpjekje të fshehura për të kufizuar lirinë e lëvizjes, tejkalojnë kuadrin ligjor dhe kërcënojnë integrimin evropian dhe si rrjedhojë janë të papranueshme”.
Për më tepër katër vendet e Visegradit shkuan edhe më tej në reflektimin e tyre politik, duke rënë dakord për krijimin e një grupi të quajtur “ Miqtë e Shengenit”, që presupozohet të shërbejë si një platformë për të diskutuar rregullat aktuale të Shengenit, me synimin për t’i përmirësuar ato.
Ndonëse, hapësira Shengen po përballet me një nga momentet më delikate të saj, presionet duken se kanë funksionuar.
Vendet e Visegradit kanë reflektuar nëpërmjet një kthese politike shumë të rëndësishme. Por, nga ana tjetër edhe kërcënimet ndaj Greqisë për pezullim nga Shengeni funksionuan tërësisht, duke e detyruar t’i rikthehet bashkëpunimit me Unionin, si një nga vendet kyçe për pritjen dhe menaxhimin e flukseve të refugjatëve.
Vetëm pak kohë më parë Gjermania, Belgjika, Holanda, Luksemburgu dhe Austria bënë publik planin e tyre për krijimin e një hapësire Mini-Shengen, në alternativë të një dështimi me hapësirën aktuale Shengen.

scroll to top