Ja deputetët që kanë pasur edhe baballarët në Kuvendin e Shqipërisë (Dokumenti)

Parlamenti-21_0_2.jpg

Të paktën 7 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë rezultojnë se kanë pasur edhe baballarët e tyre ligjvënës. Disa prej deputetëve, në pozitë dhe opozitë, kanë pasur baballarët deputetë në Parlamentin e pas 1991, ndërsa të tjerë gjatë viteve të diktaturës.

Emrat janë publikuar nga Instituti i Studimeve Politike, ndërsa në listë përfshihet edhe Kryeministri Edi Rama, babai i të cilit Kristaq Rama ka qenë deputet për 5 legjislatura nga 1970 në 1990.

Ndërkohë një tjetër emër është ai i Genc Pollos, babai i të cilit Stefanaq Pollo ishte deputet në periudhën 1970-1978.

Emrat e tjerë të ligjvënësve që baballarët kanë qenë deputetë në Kuvendin e Shqipërisë duke filluar nga 1991 janë Bardh Spahia, Rudina Hajdari, Arben Pëllumbi, Anduel Xhindi dhe Damian Gjiknuri.

Nisur nga ky publikim, Afrim Krasniqi, përmes një komenti shkruan se “gjatë sistemit komunist kishim emërime familjare në politikë, – p.sh, tre drejtuesit më të lartë të regjimit, Hoxha, Shehu e Kapo kishin edhe gratë e tyre në Komitetin Qendror dhe deputete! Në demokraci supozohej se do të kishim ndryshim elitash dhe krijim të elitave cilësore. Nuk ka ndodhur dhe as nuk pritet të ndodhë të paktën edhe në një dekadë. Por kemi pasur dhe kemi familjare që kanë pasur poste të larta politike (ministra, kryeministra, etj) dhe deputetë që kanë pasuar njëri tjetrin në parlament. Fjala vjen, Ben Blushi pasoi deputet babanë e tij, – të dy duke qenë figura publike. Por kemi raste, kur vijimi i traditës nuk vjen nga të qënurit figurë publike, por nga faktorë të tjerë, kryesisht të personalizuar”.

Në vijim, ai shkruan se nëse i referohemi rretheve familjare, atëherë numri i deputetëve/rasteve shkon në 25, nga të cilët 10 janë në parlamentin aktual (dhe të ri).

“Nëse i referohemi edhe rasteve kur babai ka kandiduar, por nuk ka arritur të zgjidhet deputet, kemi edhe të paktën 4 raste të tjera aktuale në parlament, përfshirë kandidimin e pasuksesshëm në dy zgjedhje të botuesit të gazetës “55”. Aktualisht në strukturat e forumeve rinore të PS dhe të PD mund të citohen mbi 25 raste të fëmijëve në organizatën rinore që ndjekin karrierat politike të prindërve në parti, pra që përgatiten për të vijuar përfaqësimin politik edhe familjar. Disa prej tyre kanë marrë poste drejtuese edhe në parti”, shkruan Krasniqi. /tesheshi.com/

scroll to top