Jeta e të burgosurave për “krime morale”

Fotografja kanadeze-polake, Gabriela Maj, ka hyrë në burgjet e vendit për gratë. Për katër vjet me radhë, ajo ka ardhur rregullisht për t’i fotografuar nja njëqind prej këtyre të harruarave, të cilat paguajnë çmimin për çmendurinë e të tjerëve. Portretet e tyre dhe dëshmitë tronditëse publikohen në një libër, i quajtur “Almond Garden”

Disa janë kriminele. Mirëpo, për shumicën e grave që mbahen në burgjet e Afganistanit “krimi” i vetëm i tyre është se janë dhunuar, sulmuar ose ngacmuar, se kanë ikur nga dhuna në familje ose martesa e detyruar. Sepse, në sistemin afgan, viktimat përfundojnë në burg edhe për çështje të nderit dhe të mungesës së respektit. Fotografja kanadeze-polake, Gabriela Maj, ka hyrë në burgjet e vendit për gratë. Për katër vjet me radhë, ajo ka ardhur rregullisht për t’i fotografuar nja njëqind prej këtyre të harruarave, të cilat paguajnë çmimin për çmendurinë e të tjerëve. Portretet e tyre dhe dëshmitë tronditëse publikohen në një libër, i quajtur “Almond Garden”, (“Kopshti i bajameve”), sipas domethënies së Badam Bagh, emri i burgut të Kabulit për gratë. Fotografja na ofron një pamje për përditshmërinë në këtë strehimore të padrejtësisë ku, paradoksalisht, gratë gëzojnë nganjëherë një liri të cilën nuk e kanë përjashta.

Në çfarë kushtesh jetojnë këto gra në burg?

GABRIELA MAJ: Kushtet e jetesës dhe komoditetet e burgjeve të grave janë elementare, por të pranueshme. Shumica e burgjeve që ekzistojnë aktualisht janë ndërtuar pas vitit 2001 me fonde të huaja, ndër të tjera nga Italia, Finlanda, Shtetet e Bashkuara. Ditën, gratë mund të dalin të lëvizin si të dëshirojnë në burg dhe ta kalojnë kohën së bashku në hapësira ku mund të rrinë bashkërisht. Qelitë ndahen nga 6 deri 10 gra, të cilat flenë në shtretër të shtrirë ose të mbivendosur, përcjell “Zëri”. Sa i përket ushqimit, ai përbëhet kryesisht nga orizi, buka dhe çaji. Të burgosurat që ruajnë kontaktet me familjen e tyre përgjithësisht janë me më shumë fat se ato që janë braktisur për shkak se vizitorët kanë të drejtë t’u çojnë ushqim dhe gjëra personale.

Kush janë gratë e burgosura? Përse janë burgosur ato?

GABRIELA MAJ: Sistemi gjyqësor në Afganistan i shndërron viktimat e abuzimeve në kriminele, duke i akuzuar për krime morale. Kështu janë shumica e grave të burgosura, të cilat vuajnë dënime prej 5 deri 15 vjet burgim. Në disa raste, gratë kanë ikur nga shtëpia për shkak të abuzimit nga babai ose nga burri, ose pse kanë ikur me partnerë të cilët familja e tyre nuk i pranonte. Ka edhe gra që vuajnë dënime si të mbijetuara të përdhunimit ose pse janë shpallur fajtore për tradhti bashkëshortore.

A miqësohen të burgosurat? Si zhvillohet jeta aty?

GABRIELA MAJ: Mjedisi në këto burgje mund të jetë tepër shpërthyes, pasi që në to janë bërë bashkë gra të pafajshme, kriminele të dënuara për vepra të rënda dhe ato që vuajnë nga stresi post-traumatik dhe çrregullime të tjera psikologjike. Megjithëkëtë, unë kam parë miqësi të shumta ndërmjet grave të burgosura. Kam parë situata kur këto gra krijojnë lidhje, e ndihmojnë njëra-tjetrën, dëshirojnë të kalojnë sa më shumë kohë së bashku, qeshen, tregojnë histori të ndryshme, pinë çaj së bashku dhe kujdesen për fëmijët e të tjerave. Disa e përjetojnë burgun si një strehë, si një vend ku i shpëtojnë ashpërsisë së realitetit të jetëve të tyre të kaluara, në të shumtën e rasteve të përshkuara me abuzime seksuale dhe dhunë në familje. Mirëpo, kjo siguri tejet relative (shumica e burgjeve menaxhohen nga burra dhe janë larg të qenit strehë e sigurt), nuk duhet të shkaktojë iluzione. Gratë që ikin nga abuzimet dhe dhuna nuk do të duhej të penalizoheshin, të ndiqeshin si kriminele, të gjykoheshin në gjykatë dhe të burgoseshin.

Pse fëmijët janë me nënat e tyre në burg? Si rritet një fëmijë në këto kushte?

GABRIELA MAJ: Shumë gra janë shtatzëna në kohën kur arrestohen. Disa i kanë shpëtuar një agresioni seksual, të tjerat presin një fëmijë nga lidhja me një person, lidhje që familja e tyre nuk e pranon. Gratë që vijnë shtatzëna janë të shumta që lindin në burg. Nganjëherë, familja konsideron se gruaja e dënuar për një krim moral e ka çnderuar aq shumë sa që ia refuzojnë edhe fëmijën, i cili, prandaj, e shoqëron të ëmën në burg. Fëmijët mund të qëndrojnë në burg deri në momentin kur administrata merr një vendim që ai fëmijë të largohet nga institucioni ndëshkues. Në përgjithësi, fëmijët ndahen prej nënave pasi të kenë mbushur pesë vjet. Disa do të vendosen në konvikte të menaxhuara nga organizata sikur WAW (Women for Afghan Women), të tjerë do të merren nën përkujdesje nga anëtarë të familjes. E shumë të tjerë, ndërkaq, do të përfundojnë në rrugë. (Madame Figaro)

scroll to top