John Newman: Rakia shqiptare si kerozinë

Këngëtari i famshëm John Newman ishte mbrëmë në Tiranë, ku ka performuar para publikut shqiptar. Këngëtari 25-vjeçar britanik pak para se të këndonte “Love me again”, apo hite të tjera në sheshin “Skënderbej”, ka dhënë një intervistë ekskluzive për emisionin “Select”, ku ka rrëfyer jo vetëm për jetën e tij profesionale, por edhe për atë private.

Pas pritjes së ngrohtë që i është bërë në Shqipëri, John ka provuar pijen alkoolike tradicionale të shqiptarëve “rakinë”. Gota e parë i është dukur shumë e fortë këngëtarit. “Duket si karburant aeroplanësh.

Vendoseni në aeroplanë”, është shprehur ai duke qeshur. Gjithsesi ai bashkë me bandën e tij e ka konsumuar të gjithë shishen gjatë natës së bardhë. Ndër të tjera John ka treguar se nuk ka pasur një jetë të lehtë gjatë fëmijërisë së tij. Ai ka jetuar në një lagje të varfër dhe i është dashur ta shtyjë ditën me 1 dollar. Jeta e tij sot ka ndryshuar.

Ai është një nga këngëtarët më të suksesshëm britanikë, me agjendë të ngjeshur e me ambicie të mëdha për të ardhmen. John Newman ka treguar se është fans i Beyonces, i pëlqen fuqia e DIVA-s që ka në skenë, e njëkohësisht pëlqen edhe Adele e Amy Winehouse. Ndërkohë ylli i muzikës britanike ka rrëfyer se për Vitin e Ri do sjellë këngë të reja dhe disa bashkëpunime interesante.

scroll to top