Jorida Tabaku – Telashet e ëmbla të kuzhinës

“Asnjëherë nuk kam pranuar të flas për këtë pjesë, por këtë herë është ndryshe, është muaj festash”. Kështu nis biseda me Jorida Tabakun, pas propozimit për një intervistë për revistën “Shije”. Po del pak jashtë rregullit kësaj here dhe ata që e kanë ndjekur karrierën  politikanes, por edhe vetë figurën e Joridës përgjatë këtyre viteve, e dinë se kjo është e vërtetë. Formula e saj është, në kohën e duhur, në momentin duhur, kur e gjykon që ka çfarë të thotë, e kujdesshme në daljet publike. “Në këtë muaj çdo familje përveç kënaqësisë të qenit së bashku, ka dhe patjetër diskutime për ushqimet. E kur afrohen festat e fundvitit, të gjithë ne mendojmë më shumë për gatimet, sidomos ato të mirat, të veçantat të gatuara në shtëpi”, vazhdon ajo. “Për fatin e keq, jo çdo familje ka mundësi që të festojë ashtu siç ka dëshirë, por zonjat shqiptare me shumë mund arrijnë të jenë nikoqire të mira e ta bëjnë dhjetorin, muajin e festave diçka të veçantë për familjen”!

Dhe një familje të veçantë ka edhe Jorida. E lindur dhe e rritur në një familje të mirë tiranse, me traditën e mirë në ushqim, kulturën për ushqyerjen e rregullt dhe të kujdesshme, një traditë e vazhduar edhe në shtëpinë e saj. Ndërsa surpriza është që kemi përballë edhe një amvisë të mirë, përveçse një figurë publike të dashur. Nga ato që ia di vlerën lumturive të vogla brenda mureve të shtëpisë, kënaqësisë së një fundjave të kaluar në shtëpi, ftesave për miqtë dhe gatimit të pjatave të shijshme për ta. Në përfundim Jorida na u duk edhe pak më shumë modeste se ç’duhet sepse gatuan dhe e njeh artin e gatimit, por kurrsesi nuk pranon t’i japë maksimumin e vlerësimit vetes, përballë dy grave që ia edukuan këtë art, mamasë dhe gjyshes së saj.

-Jorida a është politika një profesion që të merr ca si shumë nga koha që një grua mund t’i kushtojë atyre punëve të vogla brenda familjes përfshirë edhe kuzhinën? Nëse ndodh kështu, a të vjen ndopak keq për këtë?

Sigurisht që nuk mund të konsiderohet politika si një punë me orar, por dhe në angazhimin tim të mëparshëm unë kam pasur një punë pa orar dhe punët e vogla brenda familjes i kam ndarë gjithmonë me bashkëshortin. Unë nuk mund ta konsideroj veten atë supergrua që bën mirë gjithçka (buzëqesh)! Thjesht përpiqem të bëj ato gjëra që më japin më shumë kënaqësi në shtëpi. Ka disa detyra që i bëj me shumë kënaqësi vetë, disa punë të tjera të vogla që i ndaj me bashkëshortin e disa të tjera që nuk më pëlqen fare të merrem e i delegoj me shumë kënaqësi. Ca prej angazhimit në punë e ca prej faktit se gjithmonë kam diçka për të bërë kur jam në shtëpi, jo gjithmonë ia dal të kem mundësi t’i bëj të gjitha vetë. E në fakt besoj kështu është dhe për çdo grua tjetër!

-Përballë imazhit të një gruaje që duhet të përballojë “burrërinë” e parlamentit, impenjimet e gjata e të vështira apo edhe detyrave të tjera që ke pasur më përpara, e kam të vështirë të të përfytyroj duke gatuar. Ç’marrëdhënie ke me gatimin?

Unë kam qenë dhe jam e parimit që gjërat thuhen me mençuri dhe pa u “burrëruar” përndryshe është e kotë që të kërkojmë përfaqësim më të madh të zonjave në parlament në qoftë se sillen si burrat. E ky është qëllimi i rritjes së përfaqësimit që disa çështje si arsimi, politikat sociale, kujdesi shëndetësor etj., mund të kenë prioritet më të lartë për zonjat se zotërinjtë. Unë në fakt përpiqem thjesht të jem unë, ashtu siç kam qenë e jam kur jap mësim, ashtu siç jam në shtëpi, ashtu dhe jam në parlament a parti. Jam rritur në një familje të madhe tiranse, ku gjithmonë jemi mbledhur e kemi festuar bashkë çdo rast. Ime më, më ka trajtuar, si çdo nënë vajzën, me “pekule” dhe nuk më është dashur të kem shumë mendjevrarje për gatimin. Kjo si duket ka qenë arsyeja se përse në fillim më dukej një detyrim. Sot më duket kënaqësi gatimi e shpenzoj pak më shumë kohë duke u kujdesur që të mendoj për pjata të reja. Madje kam filluar ta shijoj më shumë të bërit pazar sepse përpiqem të gjej produktet e freskëta dhe shpenzoj më shumë kohë për gatimin.

-Një vajzë nga një derë Tirane siç je ti, ma do mendja duhet të jesh rritur me kulturën e një kuzhine të mirë dhe të shijshme. Nëse do të të kërkoja të ktheheshe pas në kohën e fëmijërisë, cila do të ishte panorama që do të më vizatojë në shtëpinë e prindërve të tu?

Familje e madhe që mblidhet shpesh e ku diskutohet shpesh për ushqimin (qesh). Mamaja ime, gjyshja, hallat, kushdo në familjen time, gatuan shkëlqyeshëm. Më qëllon që kudo që të jem tek familjarët e mi të ketë diçka të gatuar mirë, që tek mamaja apo vjehrra ime shtëpia të mbajë një erë të këndshme ushqimi sa herë që hy brenda. Ushqime tradicionale kryesisht, ushqime tiranse të gatuara për merak, por dhe kuzhinën e re që mamaja ime ka filluar të eksperimentojë. Unë e di me siguri që nëse do të jem tek halla do të shijoj patjetër petulla të shkëlqyera, nëse do të jem tek prindërit e bashkëshortit tim do të më duhet të ruaj vend për një copë byrek me qumësht; nëse do të shkoj tek ime më, patjetër një gjellë e shijshme më pret, e sidomos kur gatuan patëllaxhanë të mbushur që nuk më mërzisin kurrë. Pra, unë ende mësoj prej tyre.

-Sa të ndodh sot të telefonosh mamanë për t’i kërkuar të të gatuajë ndonjë nga ato pjatat e shijshme të saj?

Gjithmonë! Edhe sikur ta di me siguri se si gatuhet pjata duke qene se mund ta kem gatuar me qindra herë, unë përsëri e telefonoj dhe e pyes për diçka. Jo vetëm për kënaqësinë që ndjen ajo sa herë më shpjegon diçka që e bën mirë vetë, por edhe për të qenë e sigurt se do të më dalë njësoj siç e gatuan ime më. Më ndodhte e njëjta gjë me gjyshen time, e cila nuk përtonte kurrë të më shpjegonte si e bënte byrekun. Megjithëse ajo mburrej me shoqet e mikeshat e saj se unë, sa herë kisha nevojë e telefonoja për ta pyetur për diçka, e vërteta është se isha unë që krenohesha me gatimin tim që ishte meritë e saj. Ndonëse përkushtimi i saj ishte aq i madh saqë nuk përtonte të merrte e rimerrte disa herë në telefon sa të nxirrja tavën nga furra dhe ajo të ishte e sigurt që më kish pëlqyer mua dhe bashkëshortit apo miqve.

-Sa ke trashëguar nga arti i saj i gatimit? Cilat specialitete të mamasë/gjyshes janë edhe të tuat sot?

Ime më është mësuesja më e mirë që mund të kem, por nuk do të thotë që unë duhet të jem doemos nxënësja më e mirë që ajo ka pasur. Kam përshtypjen që kam trashëguar pak nga arti i saj në kuzhinë, megjithëse ajo përkujdeset që unë të jem po aq e mirë sa ajo. Edhe pse kam mësuar shumë prej saj e kuptoj që jemi shumë larg. Të gjitha pjatat tradicionale i kam mësuar prej saj. Gatimin e perimeve, rizotos, por dhe gatimet për festa i kam të trashëguara po prej saj.

-A e mban mend cila ka qenë pjata e parë që ke gatuar bashkë me mamanë?

Keku që më është dukur gjëja më e thjeshtë për të bërë, por që asnjëherë nuk më del aq i mirë sa i mamasë!

-Sa e rreptë ka qenë ajo me ty në këtë drejtim?

Aspak (buzëqesh). Dhe kur nuk me del mirë diçka, ofrohet gjithmonë të më ndihmojë ajo!

-Po pjata e parë që ke gatuar vetë nga fillimi në fund cila ka qenë? Kur dhe cili ishte rezultati?

Besoj se ka qenë kur isha me studime jashtë. Pak nga malli e pak nga mungesa e ushqimit të shijshëm, përpiqesha të imitoja pjata që i gatuanim shpesh në familje. Ka qenë gjellë me patate në mos gaboj dhe përderisa nuk kam ndonjë përshtypje të veçantë nuk do të ketë qenë kaq e mirë.

-Sa shpesh ose rrallë gatuan sot? Sa shpesh ndodh që në një fundjavë të lirë të përveshësh mëngët për t’iu dedikuar vetëm gatimit të mirë të shtëpisë?

Nuk jam aq e zonja sa mësuesja ime, por ama kam mësuar ta dua gatimin prandaj dhe e shoh si një mënyrë çlodhjeje e shkëputjeje nga puna e angazhimet. Drekat dhe darkat tona janë tradicionale, pra preferojmë të qëndrojmë në shtëpi dhe i ndajmë detyrat e kuzhinës, prandaj më ndodh shpesh të gatuaj. Jo përherë qëlloj në shenjë. Ndodh që në disa raste t’ia qëlloj e disa të tjera jo. E sigurt që dhe po nuk e pëlqeu askush, Saimiri  do të më përgëzojë, ndërsa imë më do të më sugjerojë çfarë të ndryshoj për herën tjetër.

-Sa e fortë është tradita e kuzhinës me të cilën je rritur përballë shijeve të reja, traditave të reja, që sot është shumë e lehtë t’i gjesh? Fjala vjen cila prej tyre fiton nëse gjendesh në dilemën, një pjatë tipike tiranase apo ushqim kinez/meksikan apo çfarëdo qoftë?

Si unë, si Saimiri, kemi shije të thjeshta. Asgjë e sofistikuar. Jemi larg këtyre gatimeve të reja, më mirë diçka tradicionale që e gatuaj me kënaqësi e nuk më shkakton stres, sesa një gatim i ri. Dhe kur provoj diçka të re, e kam patjetër të sugjeruar nga dikush që e ka provuar. Kam në shtëpi me qindra libra kuzhine, të cilat ose i kam blerë kur fillova të gatuaja vetë, ose tezja ime që ka shumë dëshirë të eksperimentojë dhe i ka mbledhur recetat nga vende e qytete të ndryshme, por për mua nuk ka si ushqimi tradicional.

-Sipas eksperiencave që ke provuar, gjatë udhëtimeve të ndryshme, cili është vendi ku hahet më mirë?

Nuk ka si shtëpia, sidomos ditën e dielë ose periudhë festash tek mami im!
Brenda në kuzhinë
-Jorida, cili është regjimi yt ushqimor i një dite?

E nis ditën gjithmonë me një kafe që e pi në shtëpi, asnjëherë jashtë, shoqëruar me lëng portokalli e diçka të vogël për të ngrënë. Përpiqem gjatë ditës të ha ndonjë frut, por minimalisht një vakt në ditë gjithmonë e konsumoj me bashkëshortin, e gjithmonë i gatuar në shtëpi. Më qëllon shpesh të gatuaj kek, për të shoqëruar kafen në mëngjes dhe besoj se është gjëja më e mirë që di të bëj në kuzhinë. Duke e alternuar me fruta të thata, ose me lëkurë portokalli, ose me çfarë të më gjendet në kuzhinë.

-A ka një ushqim të cilin nuk e konsumon kurrë sepse është i pashëndetshëm apo thjeshtë nuk e shijoni?

Nuk jam kujdesur ndonjëherë në mënyrë specifike për peshën, asnjë kufizim, thjesht një kujdes në rritje vitet e fundit.

-A ka një pjatë që e preferon aq shumë sa nuk do të mërziteshe edhe sikur ta haje çdo ditë?

Kërpudhat e gatuara pak në tigan.

-Sa i ndjek këshillat e specialistëve për ushqyerjen e shëndetshme, kaloritë e balancuara, maskat e bukurisë e të tjera si këto?

Jemi duke u përpjekur që të ushqehemi më shëndetshëm kohët e fundit e duke treguar më shumë kujdes për gatimet. Duke evituar konsumin e tepërt të mishit të kuq e duke shtuar frutat e sallatat gjatë ditës. Besoj me moshën kushdo bëhet më i ndërgjegjshëm për kujdesin ndaj ushqyerjes, por asnjëherë dieta specifike ose sugjerime të tilla. Kjo sepse për të mbajtur trupin në formë praktikojmë edhe ecjet, hiking apo dhe volejbollin.

-A ke një ritual tëndin në kuzhinë? Çdo ditë një pjatë ndryshe, domosdoshmërisht ushqime të stinës, jo pijë alkoolike etj?

Jo domosdoshmërisht. E gjitha kjo sepse varet nga dita ime, nëse më duhet të kryejë shumë punë apo tepër e zënë, atëherë përfundojmë tek diçka e thjeshtë, përndryshe përkushtimi është më i madh për të gatuar një pjatë të stinës që shijon më shumë. Gjithmonë përpiqem të kem sallatë në tryezë, e gjithmonë të kem perime të stinës. Përpiqem të evitoj bukën, që është mëkati im më i madh në kuzhinë!

-Thonë se kuzhina është art dhe si i tillë do edhe shumë pasion. A është kështu për ty? A ka qenë gjithmonë apo nuk do të jetë kurrë kështu?

Nuk mund të flas për art, thjesht sigurisht që do shumë pasion e durim. Nuk besoj se do të jem ndonjëherë aq e mirë në kuzhinë sa ta konsideroj veten si një artiste në kuzhinë.

-Ka një bindje të përgjithshme se gruaja dhe kuzhina janë binom i pandashëm? A është kështu për ju?

Jo domosdoshmërisht. Për mua pjatat më të mira kanë qenë ato që gatuhen në bashkëpunim me bashkëshortin, a motrën ose miq që kanë ardhur e ndërkohë që bisedojmë gatuajmë.

-Sa i kushton rëndësi detajeve të një tryeze, mbulesave të fisme, lulet, pse jo qirinjtë? A është kusht që një tryezë duhet të jetë gjithmonë dhe domosdoshmërisht e shtruar bukur?

Arredimi është ajo pjesë që më pëlqen shumë të kujdesem. Jo domosdoshmërisht lule, por e shtruar bukur e me kujdes, sidomos kur kemi miq.

 

Të gatuajmë në çift

 

-Sa kuptim ka në familjen tënde, fjala “të gatuajmë në çift?

Jo vetëm në kuzhinë, por edhe në shtëpi përgjithësisht i ndajmë bashkë detyrat. Dhe kur gatuajmë patjetër që gjejmë diçka që duhet të bëj unë ose diçka që e bën bashkëshorti. Kohën në kuzhinë e përdorim dhe për të folur e diskutuar, e sikur nuk të duket aq bezdi gatimi.

-Po flasim për një bashkëshort bashkëpunues apo një shef të vërtetë kuzhinë?

Është nxënës i mirë, pa shumë iniciativë, por shumë bashkëpunues (qesh)

-A e mban mend pjatën e parë që ke gatuar për bashkëshortin tënd? Cili ishte rezultati, a pati atë efekt që prisje?

Ka qenë rizoto që më doli tmerrësisht keq dhe që si përfundim nuk u pëlqye.

-A je lloji i bashkëshortes që kur ke përgatitur diçka të mirë kërkon patjetër edhe një kompliment prej njeriut tënd të zemrës?

Unë akoma pa e provuar pres të më komplimentojë (qesh)

-Cilat janë shijet tuaja, të njëjta apo gjithmonë njëri duhet t’i përshtatet tjetrit sipas radhës?

Përgjithësisht të njëjta. Saimiri nuk ka shumë dëshirë të eksperimentojë e të provojë pjata të reja. Por për fat, ai nuk është aspak nazeli, duke ma bërë shumë të thjeshtë dhe mua.

-A ju pëlqen të ftoni njerëz në shtëpi, sa shpesh?

Unë jam shumë e lidhur me shtëpinë, më pëlqen të shpenzoj kohë në shtëpi, të kujdesem për lulet, të merrem me ndryshimin e vendit të mobilieve, zbukurimeve etj. Më pëlqen në fundjavë sidomos, të bëj patjetër diçka për shtëpinë, qoftë dhe të merrem me rregullimin e bibliotekës ose përzgjedhjen e rregullimin e fotove. Gjithmonë e më shumë më pëlqen të shpenzoj kohë në shtëpi e jo jashtë. Qoftë për nja kafe apo një gotë verë, a për të parë një ndeshje, preferojmë të ftojmë miq më mirë se sa të shkojmë diku jashtë.

-Dhe kur mblidheni kështu a gatuan ti për ata apo është bashkëpunim?

Gjithmonë sa herë kam miq, më ndihmojnë të bëj gati ushqimet, gjithmonë dikush prej tyre pyet a keni nevojë të vi pak më parë t’ju ndihmoj.

-A është një gotë verë pjesë e ritualit tuaj të përnatshëm pas një dite të gjatë pune?

Një gotë verë ose një pije në darkë në shtëpi. Gjithmonë me një libër ose një film. Asnjëherë lajme në darkë (qesh).

-Po fundjavat? Gjithmonë bashkë diku jashtë Tiranës apo me mirë në shtëpi, pranë oxhakut të ngrohtë?

Fundjavat të alternuara. Kur është kohë e bukur e shpenzojmë për ecje apo ndonjë aktivitet sportiv dhe për rrjedhojë përfundojmë me një drekë jashtë. Por ka edhe ditë që qëndrimi në shtëpi të shijon, si për ushqimin aq edhe për atë ngrohtësinë që të jep shtëpia. Në të dyja rastet librat nuk mungojnë.

scroll to top