Kaosi si shpëtim nga burgu

Opinion: Imer Mushkolaj

Situata kaotike aktuale më së shumti iu vjen përshtati atyre që nesër mund të jenë të akuzuar dhe të dënuar nga Gjykata Speciale. Ata po bëjnë çmos që krijimi i kësaj gjykate të zvarritet sa më shumë, madje edhe me çmimin e bllokadës së institucioneve dhe destabilizimit të vendit
Një lojë të ndytë, në përpjekje për ta zvarritur sa më shumë krijimin e e Gjykatës Speciale po luhet në Kosovë muajt e fundit. Përtej vullnetit të shprehur publikisht dhe deklaratave kinse në mbështetje të gjykatës, ata që pritet të jenë në shënjestër të këtij institucioni po bëjnë çmos që ta sabotojnë krijimin e saj. E të tillë besohet të ketë edhe në mesin e atyre që nuk ngurrojnë të organizojnë trazira në rrugët e kryeqytetit dhe të bllokojnë institucionet, por edhe ndër ata që shfaqen mbrojtës fanatikë të institucioneve dhe respektues të rendit e ligjit. Ata i bashkon qëllimi i njëjtë: zvarritja e funksionalizimit të gjykatës që do t’i procedonte krimet e pretenduara të tyre, e që do të nënkuptonte shembjen e shpejtë të perandorive të tyre financiare të ndërtuara pas luftës.

Këtë qëllim final e ka edhe bllokada institucionale që po vazhdon tash sa javë, ndonëse shkak i krizës zyrtarisht është mosrealizimi i dy kërkesave të partive opozitare.

Që në kohën kur u paralajmërua themelimi i saj, nisën kundërshtimet ndaj Gjykatës Speciale. Thuhej se ajo po krijohej me qëllim që të njolloset lufta e pastër e UÇK’së, ndonëse në fokus të saj do të jenë vetëm individë që mund të kenë kryer krime. Thuhej po ashtu se me themelimin e kësaj gjykate po goditej sistemi i drejtësisë në Kosovë, edhe pse ky sistem e kishte pasur rastin, por nuk kishte ndërmarrë asnjë hap për procedimin e krimeve të pretenduara.

Tash gjendemi në situatën kur Kuvendi i bllokuar nuk mund të ratifikojë as marrëveshjen me Holandën për vendosjen e selisë së gjykatës atje, ndërkohë që provokimi i zgjedhjeve të reja është gjithnjë në agjendë, me qëllim krijimin e një realiteti të ri karshi institucionit të Gjykatës Speciale.

* * *

Askush nuk duhet të habitet nëse në muajt e parë të vitit të ardhshëm do të dalim sërish para kutive të votimit, ndërkaq koalicionin qeveritar do ta përbëjnë partitë e ashtuquajtura “të luftës”, respektivisht PDK dhe AAK. Kjo mund t’i duket dikujt utopike tash, por është e mundshme dhe e besueshme që të ndodh, duke pasur parasysh skenarin që i vjen përshtati më së shumti PDK’së dhe Hashim Thaçit. Por edhe AAK’së dhe Ramush Haradinajt.

Me Isa Mustafën kryeministër, këto parti e kanë të pamundur të krijojnë pozicion të fortë vendimmmarrës në procesin e funksionalizimit të gjykatës dhe këtë nuk mund ta lejojnë. Është pikërisht Gjykata Speciale që do t’i bashkojë ata në përpjekje që, në mos për ta pamundësuar, të paktën për të zvarritur punë e bllokuar.

LDK’së i vjen përshtati që sa më shpejt në listën e të akuzuarve nga gjykata të jenë figura të rëndësishme të partive rivale. Animozitetet ndërmjet kësaj partie dhe partive të dala nga lufta nuk janë shuar asnjëherë, pavarësisht se krijohet tjetër përshtypje. Andaj në këtë situatë bllokade politike caku i fundit i partive të luftës është Isa Mustafa, degradimi i figurës së tij politike në të gjitha format dhe dëmtimi i LDK’së.

* * *

Gjykata Speciale do të krijohet dhe krimet e pretenduara do të procedohen nga ajo, pa marrë parasysh pengesat që po has. Kjo do të ndodhë shpejt, nëse BE dhe SHBA e kanë seriozisht. Dhe ato duken se e kanë seriozisht.

Por, po, edhe për një kohë parti të caktuara politike dhe individë të caktuar brenda tyre, që mendohet të jenë në listën e gjykatës, do të bëjnë çmos që ta sabotojnë dhe bllokojnë punën e saj.

Por, kjo nuk mund të ndodhë pafundësisht. Siç nuk ka shans që krimet të mbesin të pandëshkuara përjetësisht.

Natyrisht, BE dhe SHBA e kanë kuptuar që nga fillimi lojën që po luhet në Kosovë, me qëllim final sabotimin e gjykatës, andaj dhe insistimet e zyrtarëve të lartë të tyre janë që puna e institucioneve me çdo kusht të vazhdojë.

Të akuzuarit potencialë nga gjykata nuk do t’i ndalin përpjekjet për të bllokuar institucionet, edhe pse tash për tash mund të jenë në anë të ndryshme partiake. Ata i bashkon kundërshtimi ndaj gjykatës. Ndaj gjykatës që mund të shqiptojë dënime drakonike, madje edhe burg të përjetshëm. Ndaj gjykatës që nënkupton jo vetëm fundin e tyre politik, por edhe fundin e perandorive të tyre financiare të ndërtuara mbi krime. Andaj ata bëjnë çmos që gjendja kaotike të vazhdojë. Punë e madhe se bllokohen institucionet. Punë e madhe se dëmtohet shteti.

Ata nuk e kanë hallin te shpëtimi i Kosovës, por te shpëtimi i prapanicës së tyre. Dhe janë në gjendje të paguajnë çfarëdo çmimi për këtë.

scroll to top