Kastriot Tusha – Një gotë raki me nënën

Në këtë rast mund të themi me bindje se Kastriot Tusha ka një shije të hollë për ushqimin. Mbi të gjitha i shijojnë gjërat e thjeshta, në fund të fundit njeriu me to kënaqet më shumë. Ç’do të mund t’i lezetonte më shumë mbrëmjeve familjare sesa një gotë raki me mezet tipike shqiptare, pjatat e thjeshta plot shije të gatuara në shtëpi apo dhe pjatat e sofistikuara, ato me klas ashtu siç do t’i shkonte për shtat një tenori.

Ushqimi i parë që fillon ditën tuaj?

Preferoj shumë çajin me biskota dhe dimrit trahana me vaj ulliri.

Më mirë të kripura apo të ëmbla?

Për të kripurat kam dobësi e veçanërisht për gjërat e gatuara në skarë, por sigurisht, si të gjithë, jam shumë i vëmendshëm, sidomos tani pas të pesëdhjetave.

Mish apo peshk?

Absolutisht parapëlqej peshkun pasi kam shumë pasion dhe peshkimin. Sa herë mundem, me shumë dëshirë, merrem me këtë sport.

Pjata që mund ta haje edhe përditë?

Sallata e freskët. Është një pjatë që është e lehtë dhe e shëndetshme. Ia shton shijen ushqimit.

Qyteti evropian ku hahet më mirë?

Italia pasi për mua aty është ushqimi më i mirë. Në këtë vend gjen shijen, aromën dhe specialitete të ndryshme.

Qyteti shqiptar ku gatuhet ushqimi më i shijshëm?

Durrësi për gatimet e peshkut krudo. Tirana në restorantin tim të preferuar ku cilësia, estetika dhe aroma janë tre komponentë që të bëjnë të mos i ndahesh për një drekë të shpejtë pune apo me miq për kënaqësi.

Pija më e mirë për të shoqëruar një pjatë të shijshme?

Rakia, veçanërisht darkave kur kam dhe mamanë afër, e shoqëruar me pak meze, është një mrekulli e vërtetë.

Gatimi që të kujton recetat e nënës?

Një specialitet që nuk i mungon familjes tonë është tava e kosit e Elbasanit. Sikundër të gjithë e dinë nuk ka si gatimet e nënës. Ndoshta është shija me të cilën ti rritesh që i bën kaq të shijshme, nuk di të them.

Ushqimi që urreje kur ke qenë fëmijë?

Fatmirësisht asnjë ushqim nuk urreja ose unë nuk kam qenë nazeli ose nëna ime ka qenë një kuzhiniere e shkëlqyer.

Një program në TV shijohet më mirë duke ngrënë…

Kur shoh televizor nuk më pëlqen të ha. Në rastet kur jam me miqtë për të parë një ndeshje atëherë  preferoj të pi një gotë birrë.

Fruti që nuk mungon kurrë në tavolinë…

Shega dhe rrushi.

Kur shkon në market çfarë blen me shumicë?

Jam merakli i vajit të ullirit dhe më pëlqen që mielli, pastat, sheqeri, erëzat ti kemi me shumicë. Kjo më krijon ndjesinë e bollëkut.

Çfarë nuk gjen kurrë në frigoriferin tuaj?

Pijet e gazuara.

Ushqimi apo pija e fundit që mbyll ditën tuaj?

Nëse darka me gjen në shtëpi, pas një dreke të mirë, parapëlqej pak bukë integrale të thekur me vaj ulliri, ullinj dhe djathë të bardhë. Diçka e thjeshtë dhe shumë e shijshme.

scroll to top