‘Keqpërdorimet e titullarëve’, heshtin Qeverinë dhe VMRO-DPMNE-në

Qeveria dhe VMRO DPMNE heshtin pas akuzave të ministrit të brendshëm Oliver Spasovski, se funksionarë qeveritar dhe partiak kanë shfrytëzuar makina dhe sigurim nga policia ndonëse kjo nuk iu ka takuar. Nga “Ilindenska nr. 2” nuk komentuan akuzat se sekretari i përgjithshëm Kiril Bozhinovski dhe këshilltari i kryeministrit, Martin Protugjer kanë shfrytëzuar benefite të këtilla. Edhe VMRO DPMNE pa përgjigje për akuzat në emër të sekretarit partiak dhe deputetit Emil Dimitriev, ish ministrit Mihajlo Manevski dhe Johan Tarçullovskit. I vetmi që ishte i gatshëm për të komentuar informatat që shpalosi Spasovskit një ditë më parë, ishte deputeti Amdi Bajram. Ai përgënjeshtroi se ka shfrytëzuar makinë dhe sigurim nga MPB, por tha se për momentin nuk planifikon të padis për shpifje.

“E dini çka? Është marrëzi tani të merrem me këto gjëra. Mjafton demanti im meqë ajo që ai e thotë nuk është e saktë, nuk është mirë i informuar ai është i sapoardhur atje dhe siç duket nuk i kupton punët siç duhet. Atë që ia kanë thënë me gojë ose dikush diçka, pra duhet të ketë provë me shkrim. Nuk kam pasur kurrfarë makine absolutisht të MPB-së”, tha Amdi Bajram, deputet, Lidhja e romëve.

Reagimi i deputetit Amdi Bajram, dhe heshtja e pushtetit nga ana tjetër erdhën pas publikimit nga ministri i brendshëm teknik të emrave të dhjetëra personave që në mënyrë të paligjshme kanë shfrytëzuar makina dhe sigurim të MPB-së. Urdhrat, siç u shpreh ai, janë dhënë me gojë dhe në rrjedhë është procedura për përcaktimin e dëmit, por edhe të përgjegjësisë.

“Kjo vetëm bën të ditur faktin për konfirmim të asaj që na e konstatojnë të gjithë në BE se në Maqedoni partia nuk është e ndarë nga shteti”, u shpreh Oliver Spasovski, ministër i brendshëm.

Spasovski dje tha se makina të MPB-së dhe sigurim shfrytëzojnë ish ministrja Gordana Jankulloska dhe ish shefi i DSK-së, Sasho Mijalkov. Por për dallim nga të tjerët, atyre u takon një beneficion i tillë, ndërsa ka pasur edhe vendime dhe dokumente përkatëse.

scroll to top