“Kokrrat”, pa censurë

WHOONLINE101Një intervistë plot batuta nga djemtë e “Kokrrat”. Artistët e talentuar ndajnë me lexuesit e revistës “revistawho.com” sekretet dhe skenat e patransmetuara për publikun, nga seriali që solli një koncept të ri në ekranet shqiptare. Si janë ndërtuar skenat që duan dy ditë kohë për t’u xhiruar? Pse njëri nga djemtë zgjohet një ditë dhe e gjen veten femër? Si ka qenë bashkëpunimi me personazhet VIP, dhe pse ne nuk e dinim më herët se djemtë janë pak të ngathët e të turpshëm me femrat? Bjordi, Erjoni dhe Xheti tregojnë se nuk jetojnë bashkë dhe se punët e shtëpisë i bën pastruesja, ndërsa presin që pas suksesit të serialit, me paratë e mbledhura të bëjnë pushime në Maldive. Doemos,  për vetë natyrën e tyre, jo çdo fjalë u duhet marrë seriozisht, ndaj kur thonë që nuk do të kenë seri të reja, por “do të ritransmetojmë episodet e vjetra me montazh tjetër”, buzëqeshni, sepse djemtë jetojnë me shakatë dhe zëreni se kjo intervistë është një pjesë ndryshe e serialit, një pjesë që transmetohet në “revistawho.com”. Ju ftojmë të lexoni tre çapkënët e ekranit.

 

Si lindi “Kokrrat”?

Lindi si një dëshirë e jona për të sjellë në Shqipëri një format të ngjashëm me stilin e serialeve televizive dhe “web”-ve të huaja, por të sjellë në realitetin bashkëkohor shqiptar.

Ju bashkoi ky projekt apo njiheshit më herët?

Njiheshim më herët, prandaj vendosëm që tre personazhet kryesore të bazoheshin mbi personalitetet tona. E njohim njëri-tjetrin shumë mirë, kështu që edhe trajtimi i personazheve ishte më i thjeshtë.

Për ata që s’e dinë, ju keni jetuar të tre për disa vjet në Itali… Si ka mundësi që jeni kaq shqiptarë në episodet tuaja?

Ishte një nga qëllimet tona. Edhe pse stili i regjisë dhe i ndërtimit të skenarit është frymëzuar nga seriale dhe filma të huaj, donim që ambientimi dhe personazhet të ishin tipikë shqiptarë.

Duke qenë se skenarin e keni shkruar vetë, gjithçka ka qenë përjetim personal?

Shumë gjëra janë të bazuara në eksperiencat tona ose të rrethit tonë shoqëror, por disa jo… Për shembull, asnjërit prej nesh nuk i ka ndodhur që të zgjohet një ditë e ta gjejë veten të transformuar në femër…

Si kanë qenë reagimet apo kritikat që keni marrë?

Shumë të mira. Kush na takon na bën komplimente pa fund. Por nuk harrojmë që jetojmë në një botë false…

WHOONLINE102Pse keni përfshirë persona të famshëm në serial, për të rritur suksesin?

Normalisht që po!

Cili personazh ju ka mërzitur më shumë?

Johnny Depp ishte kaq i bezdisshëm dhe tekanjoz në set saqë vendosëm që episodin ku ai ishte i ftuar ta hiqnim fare, dhe nuk e transmetuam hiç.

Po më komodi cili ka qenë?

Të gjithë kanë qenë shumë të mirë, por duhet të cilësojmë Getoarin, i cili edhe pse nuk kishte fare kohë për të xhiruar, u tregua shumë i gatshëm për të qenë pjesë e projektit.

Cila është videoja më e klikuar në Youtube deri tani?

Karma is a bitch”, episodi ku Bjordi zgjohet në mëngjes dhe është transformuar në femër.

Na tregoni pak prapaskenat e xhirimeve… Sa orë duhen për një episod?

Varet nga episodet, në fakt, por mesatarisht na duhen 1 deri në 2 ditë.

E keni nisur ndonjëherë nga e para një episod se nuk ju pëlqente?

Jo, nuk ndodh kjo.

Ka kaq shumë momente gazmore për shikuesit. Po juve a ju ka kapur ndonjëherë e qeshura?

Kemi qeshur nga fillimi deri në fund. Ka disa plane që nuk i përdorëm dot, sepse operatorët qeshnin kaq shumë saqë dridhej figura.

WHOONLINE104A e ndani edhe në jetë, si në serial, gjithçka me njëri-tjetrin?

Ndajmë vetëm hallet, dashnoret, dhe çorapet. Por mishin jo. Qoftet janë të shenjta.

A i di Bjordi sekretet e Erionit dhe Xhetit? Po Erioni? Xheti?

I dimë disa.

Na tregoni nga një sekret për secilin.

Xheti është fans i çmendur i Ricky Martin.

Erioni sheh “Sex and the city” dhe shpeshherë qan tek episodi ku Keri ndahet nga Mr.Big.

Bjordi, në të vërtetë është kinez.

WHOONLINE105Si i keni marrëdhëniet me vajzat?

Shumë të mira i kemi! Ndonjëherë arrijmë t’i përshëndesim pa u turpëruar. Xheti njëherë arriti ta prekë njërën, por Erioni thotë që ai gënjen.

Si është të jetosh në një shtëpi me tre djem?

Në jetën e vërtetë nuk jetojmë bashkë, sepse e kemi inat njëri-tjetrin.

Kush i bën punët në shtëpitë tuaja?

Pastruesja.

WHOONLINE106Kush i mban llogaritë?

Ekonomistja.

A do të ketë një sezon të dytë?

Ka shumë gjasë që kjo të ndodhë.

Çfarë të reje do të sillni?

Asgjë, do të ritransmetojmë episodet e vjetra me montazh tjetër. Dhe me paratë që do fitojmë, do të shkojmë në Maldive.

 

scroll to top