Koment – Kuvendi i Kosovës po humbet ligjshmërinë

Këtë e ka bërë sidomos arrestimi i fundit i disa deputetëve të opozitës dhe më pas pezullimi i opozitës nga seanca e fundit.

Kjo e bën Kuvendin e Kosovës të vetmin në rajon, por edhe me gjerë, që ka më së shumti deputetë të arrestuar.

Analistët thonë se organi më i lartë përfaqësues dhe ligjvënësi Kosovës tashmë është në pikën zero të ligjshmërisë.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, deklaroi për “KosovaPress” se ngjarjet, që janë zhvilluar që prej më shumë se dy muajve, ia kanë rrënuar legjitimitetin Kuvendit të Kosovës. Ndonëse, sipas tij, në kuptimin juridik është plotësisht e ligjshme.

Për profesorin Hoti, gjithçka që bëhet në Kuvend pa opozitën në kuptimin legjitim do të kontestohej, sepse kjo nuk është as demokratike, madje as nuk i shërben procesit të përgjithshëm politik.

“Situata në kuptimin e ligjshmërisë komplikohet në mënyrë të dukshme kur vijnë në shprehje zhvillimet e fundit në Parlamentin e Kosovës, me theks të veçantë pezullimin tërësor ose komplet i opozitës. Madje, edhe arrestimet e deputetëve të caktuar që situatën jo vetëm që e degradojnë, por deri në një masë të caktuar e bëjnë krejtësisht edhe jo funksionale. Praktikat njohin situata të tilla dhe madje këto janë karakteristika për secilin vend tranzitor dhe në veçanti rajonit prej nga vijmë. Situata të tilla kemi pasur në Serbi, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Shqipëri një kohë të gjatë ku opozita ka bojkotuar tërësisht Kuvendin. Megjithatë, këto mund të quhen si legale, por konsiderohen që dëmtojnë në masë substanciale ligjshmërinë e organit përfaqësues”, tha Hoti.

Për Fisnik Korenicën nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, nëse situata vazhdon të jetë kështu, atëherë vendimet e Kuvendit të Kosovës nuk kanë ligjshmeri.

“Unë mendoj që Kuvendi ka hyrë në një krizë të thellë edhe të ligjshmërisë, por edhe të mungesës së mirëkuptimit të forcave politike për të funksionuar si institucioni me i lartë përfaqësues i republikës. Në këtë fazë siç jemi tani faji është tek kryetarët e të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvend, të cilëve ende po u mungon një mirëkuptim për t’u ulur në një tryezë që të gjejnë zgjidhje nga kriza ku jemi tani. Por, insistimi i pozitës që opozita të mbetet jashtë Kuvendit, që shumica e opozitës të jenë të arrestuar, mendoj që është insistim që e dërgon Kuvendin drejt mungesës dhe humbjes së plotë të legjitimitetit. Sepse nuk mund të ketë demokraci parlamentare, nuk mund të ketë Kuvend që funksionon nëse aty nuk lejohet dhe nuk merr pjesë opozita”, theksoi Korenica.

Për gjithë këtë situatë politike, sipas Korenicës faj kanë edhe pozita edhe opozita. Korenica thotë se pa pasur Kuvendi legjitimitet, as organet që dalin nga ai mos të pretendojnë se mund të ketë demokraci.

Por Hoti e Korenica kanë mendime të ndryshme sa i përket zgjidhjes së kësaj situate dhe kthimin e legjitimitetit tek organi me i lartë ligjvënës. Profesori Hoti thotë se duke qenë se situata ka degraduar deri në atë masë sa dialogu është përjashtuar si zgjidhje.

Sipas tij, e vetmja zgjidhje që ka mbetur është një qeveri teknike deri në organizimin e zgjedhjeve të reja, ku legjitimiteti do t’i kthehej sovranit për të vendosur përsëri.

Mirëpo, ndryshe mendon Korenica, i cili zgjedhjet nuk i sheh si zgjidhje, madje ai mendon se situata do të komplikohej edhe me shumë, pasi palët janë të vendosura në dy pozicione inatesh shumë të fuqishme dhe nuk lëvizin nga këto pozicione edhe sikur nesër do të shkonin në zgjedhje të reja.

“Prandaj me duket se zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje për këtë krizë. E vetmja zgjidhje është që palët të gjejnë një mirëkupt im minimal për ta kthyer në normalitet Kuvendin dhe për t’i rishqyrtuar marrëveshjet që janë bërë”, theksoi Korenica.

Përveç arrestimit të disa deputetëve të opozitës dhe disa të tjerë që janë në ndjekje, pasi kanë fletarrestë nga Prokuroria, edhe dy deputetëve të PDK-së, së fundi iu konfirmua dënimi për krime lufte, të cilët dhanë dorëheqje të hënën nga mandati i deputetit të Kuvendit të Kosovës.

scroll to top