Komuna e Gostivarit nënshkroi Memorandum bashkëpunimi me Fondin “Egalite” të USAID-it.

Me një ceremoni solemne të mbajtur në sallën e Këshillit Komunal, Komuna e Gostivarit nënshkroi Memorandum bashkëpunimi me Fondin për mbështetjen e të rinjve dhe grave sipërmarrëse “Egalite”, si pjesë e projektit të USAID –it për Zgjerimin e Bizneseve të Vogla.

Me nënshkrimin e Memorandumit, Komuna e Gostivarit i dhuron 10 mijë dollarë Fondit “Egalite”, që ka për synim mbështetjen e të rinjve dhe grave sipërmarrëse në rajonin e Pollogut.

Në këtë ceremoni ku i pranishëm ishte edhe ambasador i SHBA-ve në Maqedoni, Jess Baily, kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta në emër të qytetarëve, administratës komunale dhe në emër të tij, shprehu falënderim për mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme të qeverisë dhe popullit amerikan të dhënë për Komunë dhe qytetarët e Gostivarit.

“Komuna e Gostivarit, deri sot ka nënshkruar shumë memorandum bashkëpunimi dhe ka realizuar shumë projekte në dobi të qytetarëve të Gostivarit me fonde të qeverisë amerikane përmes USAID-it dhe organizatave të tjera. Ne gjatë qeverisjes sonë kemi realizuar shumë projekte të reja që kanë shkuar në të mirë të qytetarëve të Gostivarit, por ky projekt është tepër i veçantë dhe i rëndësishëm për shkak se bëhet fjalë për zhvillimin e bizneseve të vogla dhe që në Gostivar janë me numër më të madh si kategori e ekonomisë së qytetit. Ky projekt u pranua me shumë dëshirë nga Komuna e Gostivarit, pasi ne si Komunë i kemi dhënë prioritet të madh zhvillimit të bizneseve dhe hapjen e vendeve të reja të punës në të mirë të shoqërisë që jeton në Komunën e Gostivarit”, tha kryetari Bejta duke shtuar se: “Zhvillimi i biznesit të vogël në qytetin e Gostivarit është elementi thelbësor i zhvillimit të ekonomisë lokale dhe kontribuon në rritjen e punësimit, dhe sigurimit të ekzistencës, mirëqenies ekonomike e sociale te familjeve në qytetin e Gostivarit”.

“Për të zhvilluar një ekonomi të shëndoshë dhe zhvillimore e të qëndrueshëm që hap vende të reja pune ka nevojë për mbështetje ndaj firmave të vogla, dhe ky projekt synon përkrahjen e tyre. Deri sot, me USAID –in kemi realizuar me sukses shumë projekte, prandaj nuk dyshoj se edhe ky projekt do të përfundon me sukses, dhe se nga ky projekt do të përfitojnë bizneset e vogla të qytetit të Gostivarit”, shtoi kryetari Nevzat Bejta.

Ambasador i SHBA-ve në Maqedoni, Jess Baily mes tjerash tha se: “Bizneset e reja dhe të vogla shpesh ballafaqohen me pengesa të shumta në procesin e sigurimit të financave.
“Këto pengesa shumë shpesh janë në numër më të madh për gratë. Me këtë Fond ne punojmë në mënjanimin e këtyre pengesave”, tha mes tjerash ambasadori Baily, i cili me këtë rast shprehu kënaqësi që ndodhet për vizitë në qytetin e Gostivarit.

Gjatë ceremonisë, përfaqësuesja e Fondit për mbështetjen e të rinjve dhe grave sipërmarrëse “Egalite”, Sanela Shkrijelj paraqiti prezantimin mbi Fondin për mbështetjen e të rinjve dhe grave sipërmarrëse, duke përfshirë aktivitetet dhe rezultatet.

“Me donacionin e Komunës së Gostivarit, mjetet në Fond do të përfshinë 141 mijë dollarë amerikan. Në vitet 2014 dhe 2015, me mjetet e Fondit përmes ndarjes së grandeve është ndihmuar në zgjerimin e 20 bizneseve të drejtuara nga të rinjtë dhe gratë sipërmarrës. Shuma e përgjithshme e grandeve të ndara deri më tani përfshinë 55 mijë dollarë. Si rezultat i kësaj, bizneset e mbështetura kanë hapur 43 vende të reja pune direkte dhe 39 vende pune indirekte”, tha Shkrijelj.

Që të sigurohet vazhdueshmëria e Fondit dhe mundësitë e barabarta për gratë dhe të rinjtë sipërmarrës, USAID-i dhe Komuna e Gostivarit inkurajojnë të gjitha bizneset dhe institucionet shtetërore të investojnë në të.

Memorandumi u nënshkrua nga kryetari, Nevzat Bejta, përfaqësuesja e Fondi për mbështetjen e të rinjve dhe grave sipërmarrëse “Egalite”, Sanela Shkrijelj, si dhe Mirjana Makedonska si përfaqësuese e USAID-it.

Fondi për mbështetjen e të rinjve dhe grave sipërmarrëse “Egalite”, është themeluar nga USAID-i në vitin 2014 për të siguruar kapital për thellimin dhe zgjerimin e bizneseve të krijuara nga gratë dhe të rinjtë sipërmarrës.

scroll to top