Kryetari i Çairit, Ganiu, priti për vizitë ministrin Fazliu

Ministri për vetëqeverisje lokal Suhejl Fazliu sot e vizitoi Komunën e Çairit. Në takimin e punës me kryetarin e Komunës së Çairit, Visar Ganiun u bisedua për funksionimin e komunës dhe realizimin e shërbimeve lokale për qytetarët, si dhe për projektet prioritare të komunës.

Kryetari i Komunës, Ganiu e informoi ministrin Fazliu se Komuna e Çairit nuk ka shumë borxhe të cilat do ta kishin rrezikuar funksionimin normal.

Pamjaftueshmëri paraqitet në sferën e bllok dotacioneve për shkollat fillore, për arsye të shpenzimeve të shumta për nxehje dhe rrymë, për arsye se komunat paguajnë tarifë industriale, njësoj si subjekteve afariste të cilat realizojnë profit – theksoi Kryetari Ganiu, i cili kërkoi redefinim të kriteriumeve për përcaktimin e bllok dotacioneve në sferën e arsimit.

Ministri për vetëqeverisje lokale Suhejl Fazliu theksoi se këtë takim pune e shfrytëzon për t’u informuar me përparësitë dhe sfidat me të cilat përballet Komuna e Çairit, që të mundet në mënyrë më të mirë të mundur t’ju ndihmohet komunave në realizimin e funksioneve të tyre. Ministri Fazliu informoi se një grup pune intersektorial punon në realizimin e një analize për përcaktimin e mënyrave për ndarje më të drejtë dhe më transparente të bllok dotacionave për komunat.

Në mbledhjen e realizuar si çështje prioritare për Komunën e Çairit u theksua: infrastruktura, komunikacioni dhe mungesa e hapësira shkollore. Për këto çështje, Kryetari i Komunës veçmë ka kërkuar përkrahje nga Qeveria dhe nga disa ministri përkatëse, për realizimin e projekteve prioritare.

Ministri për vetëqeverisje lokale ka bashkëpunim të shkëlqyer me Komunën e Çairit. “Komunës së Çairit dhe të gjitha komunave tjera ju qëndrojmë në dispozicion për përkrahje, në mënyrë direkte dhe në koordinimin me ministritë tjera, për zgjidhjen e të gjitha problematikave që e vështirësojnë funksionimin e komunës”. Poashtu ministri Fazliu theksoi se Komuna i ka në dispozicion edhe mjetet nga IPA Programi për bashkëpunim ndërkufitar si dhe mjetet nga Programi për zhvillim të barabartë rajonal, për të cilat përgjegjëse është Ministria për vetëqeverisje lokale.

scroll to top