Kurti për gazetën sllovene, flet për bashkim me Shqipërinë

“Nuk jam për bashkim me Shqipërinë kundër BE-së”, ka thënë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një intervistë për edicionin e së shtunës të gazetës sllovene DELO.
I pyetur se a a nuk është joreale pritshmëria që të gjithë shqiptarët të jetojnë në një shtet dhe që lojtarët e mëdhenj do ta lejonin formimin e Shqipërisë së madhe, Kurti është përgjigjur: “Shqipëria e madhe është këngë, që e kanë shpikur në Beograd në mënyrë që te mund ta krijonin Serbinë e madhe. Shqiptarëve ju ka mbetur etiketa, ndërkaq serbët kanë marrë territor. Kosova duhet ta ketë të drejtë të bashkohet me Shqipërinë”.

“Kushtetuta nuk na lejon që t’i bashkohemi çfarëdo shteti, që do të thotë, se do të kemi probleme edhe me bashkimin në BE. Secili shtet duhet të jetë i lirë dhe të ketë të drejtë të bashkohet me shtetet e tjera. Kjo është perspektivë e jashtme e sovranitetit dhe e drejtës për vetëvendosje. Në Kosovë perspektiva e jashtme nuk është e lejuar, megjithëse Kosova shekull më parë është shkëputur dhunshëm nga Shqipëria. Në konferencën e Londrës 1913 ministri i jashtëm i atëhershëm Edëard Grey deklaroi se për shkak të ruajtjes së paqes në Evropë shqiptarëve ju bë një padrejtësi e madhe. Një vit më vonë shpërtheu lufta e parë botërore”, ka shtuar ai.

“Nuk dëshiroj që për shkak të bashkimit mes Kosovës dhe Shqipërisë të fillojë lufta e tretë ballkanike, por do të doja që kjo të arrihej përmes rrugës paqësore dhe demokratike. Kjo është dëshira e shqiptarëve në të dyja anët e kufirit, që është kufiri i dikurshëm i Serbisë dhe Jugosllavisë. Për bashkim ekziston gjithashtu edhe interesi ekonomik. Shqipëria ka det, ujë dhe male, ndërkaq Kosova tokë të mirë bujqësore, xehe dhe minerale”, ka thënë Kurti.

I pyetur sa a është e vështirë të realizohet ideja për bashkim me Shqipërinë, Kurti ka thënë: “Ka të bëjë me zgjidhje të drejtë dhe të mirë, që më mjafton të përpiqem për këtë qëllim. Nuk jam për bashkim me Shqipërinë kundër BE-së. Zgjidhje e mirë është edhe shqiptarët e bashkuar edhe në Evropë të bashkuar”.

“Për bashkim të Kosovës me Shqipërinë do të duhej të vendosnin njerëzit në referendum në të dy shtetet. Bashkimi do të ishte legjitim nëse për të do të vendoste shumica e shtetasve në të dy anët e kufirit”, është shprehur ai.

scroll to top