Kush është dëmtuar dhe kush ka përfituar më shumë nga ISIS?

XHEVAT MUSTAFA

isisQysh sa u dëgjua, u pa dhe u shkrua për lindjen apo krijimin e ISIS-it u shtrua, me zë apo në vetvete, edhe pyetja: Cilët janë prindërit, mjekët gjinekologë apo mamitë që e mbarsën, zhvilluan dhe pritën në duar këtë krijesë? Edhe pse u bë dhe vazhdon të bëhet një propagandë intensive paragjykuese e manipuluese, me shumë gjasa ISIS është më tepër “krijesë laboratorësh” sekrete shumëkombëshe sesa të një “shtatzënie normale” të vetë fesë islame. Kjo, duke qenë me plot rryma, sekte e sherre të brendshme, nxitur e frymëzuar nga ambiciet e pafre për mbizotërim fetar, zakonor, politik, tregtar dhe financiar …, ka shumë gjasa të mos e ketë dëshiruar me zemër këtë “shtatzëni” dhe “lindje”. Janë të shumtë zërat që pretendojnë apo edhe kanë dëshmuar publikisht se, në fazën e parë militantë të ISIS-it janë stërvitur e përgatitur nën kujdesin e instruktorëve me përvojë në qendra moderne për aftësim special në fushën ushtarake, sidomos të operacioneve terroriste, në të dyja anët e kufirit të gjatë turko-sirian. Thuhet gjithashtu, se në qendra të tjera kanë pasur si instruktorë oficerë e nënoficerë, që janë larguar si dezertorë apo zyrtarisht nga ushtria siriane, egjiptiane, libiane, irakiane etj.

Për të shkuar sa më shumë afër së vërtetës mbi krijimin e ISIS-it ndihmon edhe ky njoftim i transmetuar nga rrjeti radioteleviziv “Al Jazeera” dhe gazeta britanike “Daily Mail”, botuar në një gazetë shqiptare, më 21 gusht 2015. Mes të tjerave, në këtë informacion thuhet: “… Instituti Mediatik Amerikan ka arritur të aksesojë një kopje të një dokumenti sekret, i cili vërteton se pas Shtetit Islamik të Shamit dhe Irakut (ISIS) qëndrojnë agjenturat izraelite. Sipas këtij dokumenti sekret, prej 32 faqesh, Shteti Islamik tashmë do të hyjë në fazën e vet përfundimtare (të gjashtë), atë të shpalljes luftë të hapur, nënkuptohet së pari Francës dhe gjithë Europës, çuditërisht duke lënë të nënkuptueshëm përjashtimin e Rusisë. Thuhet se edhe ish-drejtori i shërbimit inteligjent ushtarak amerikan, gjenerali Majkell Wlayn, e ka konfirmuar këtë dokument …”.

Në mbështetje të këtij opsioni mund të merret në konsideratë edhe fakti se shkatërrimi i vendeve fqinje dhe armiq të vjetër me Izraelin, si Egjipti, Siria, Libani, që përbën një nga objektivat e vjetër të shtetit izraelit, është realizuar gjatë këtyre viteve të fundit, pa qenë nevoja e angazhimit të ushtrisë izraelite nga toka e nga ajri, por kryesisht nëpërmjet operacioneve ushtarake dhe akteve terroriste të ushtrisë dhe grupeve të ISIS-it.

Po kështu, nuk mund të merret më krejt si rastësi që ushtria dhe grupet terroriste të ISIS-it kanë shkaktuar shkatërrime apokaliptike dhe krime masive edhe mbi popullsinë civile, të çdo besimi, pra katolikë dhe myslimanë shiitë, në vendet përreth Izraelit dhe në konflikte të vjetra me të, si në Egjipt, Siri, Libi, Liban, Jordani dhe ca më larg, në Jemen, Tunizi, Arabinë Saudite, por nuk kanë “guxuar” të futen në territore të shtetit të Izraelit e të bëjnë ndonjë akt terrorist me bujë e jehonë kundër forcave ushtarake apo qytetarëve të këtij vendi. Edhe pse kanë qenë jo të pakta arsyet apo sebepet e justifikimeve “me hakmarrjen për vëllezërit palestinezë”, viktima të terrorit shtetëror, ushtarak e policor nga ana e qeverisë së Natanyahu-t, përsëri ISIS-i nuk ka gjetur kohë për t’i dhënë ndonjë përgjigje Tel Avivit. Shumëkush mund ta justifikojë këtë si frikë dhe ngurrim të liderëve të ISIS-it për të mos hapur një front të ri apo për të mos u armiqësuar dhe konfliktuar me një ushtri shumë të fuqishme dhe moderne, si dhe me një shërbim sekret, si Mosadi, i vlerësuar si një nga shërbimet sekrete më të fuqishme e më të sofistikuar në mbarë botën. Por, edhe shumëkujt nuk mund t’i kundërshtohet e drejta për të menduar për një lidhje tjetër.

Rreth ISIS-it jep informacion të bollshëm, të qartë e të nënkuptueshëm, edhe intervista e gazetarit gjerman, Jurgen Todenhofer, për CNN-in, më 7 janar 2015, me rastin e sulmit terrorist kundër redaksisë së revistës “Charlie Hebdo”, po në Paris. “Njëri prej episodeve më të spikatura të udhëtimit të Todenhofer në rajonet e kontrolluara nga ISIS-i, ishte intervista me një luftëtar gjerman, që foli në emër të udhëheqjes së Shtetit Islamik. “Pra, ju kërkoni që të vini në Europë?”, – e pyeti Todenhofer. “Jo, ne do ta pushtojmë një ditë Europën!” – tha luftëtari. Kjo është vetëm çështje kohe. Por është e sigurt … Ata do të detyrohen të kthehen në fenë islame, të paguajnë taksën e islamit ose do të vriten.”

Ka shumë të ngjarë që ky militant i ISIS-it, ardhur nga Gjermania, di shumë më pak se eprorët e tij që kush ua ka futur në mendje si ëndërr apo si slogan propagandistik pushtimin ushtarak e fetar të Europës, se cilët shtete e shërbime sekrete janë historikisht dhe aktualisht shumë të interesuar për të ndalur bumin ekonomik dhe fuqizimin politik në Europë të Gjermanisë, sidomos në vitet e qeverisjes nga Angela Merkel, për të shpërbërë BE-në e për ta eliminuar si konkurrent ekonomik, tregtar e gjeostrategjik.

Edhe deklarimet e Kancelares gjermane, Merkel, dhe të Presidentit të Francës, Hollande, se “ISIS godet dhe dëmton islamin” ndihmojnë për të menduar se ISIS është organizatë apo një makinacion i krijuar për të gogolizuar apo demonizuar islamizmin dhe për të kriminalizuar imazhin e gjithë fesë islamike, për të përqendruar vëmendjen në këtë drejtim e për ta larguar nga drejtime të tjera, nga mund të fshihen dhe vijnë rreziqet e vërteta … Sidomos pas akteve terroriste të 13 nëntorit në Paris janë bërë edhe më masive parandjenjat, parashikimet, opinionet dhe deklarimet se lufta e tretë botërore do të jetë një përballje mes islamit dhe krishterimit apo mes Lindjes së Mesme islamike dhe Europës Perëndimore të krishterë. Nuk mund të kundërshtohet kategorikisht si mundësi apo alternativë, por, gjithsesi, mbështetur edhe në përvojën dhe mesazhet e dy luftërave botërore, motivet nxitëse të tyre ka shumë më tepër gjasa të jenë interesat dhe konfliktet ekonomiko-politike e gjeostrategjike mes SHBA-së, Rusisë, Kinës, Japonisë, Indisë, dy Koreve … dhe jo ato fetare mes islamit radikal apo ekstremist dhe krishterimit. Shprehur edhe më qartë, lufta e tretë botërore, sipas shumë shenjave, mesazheve apo dukurive, ka shumë më tepër të ngjarë të vijë, ashtu si dy luftërat e mëparshme, për miliardat e panumërta të naftës, gazit, armëve, drogave etj., si dhe për rivendikime territoriale dhe rikthime në kufijtë e kohës së perandorive.

Për të marrë me mend se cilët janë kumbarë apo partnerë të ISIS-it ndihmon edhe deklarata e Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, dhënë për gazetarët në Samitin e G20, mbajtur më 15-16 nëntor në Antalia të Turqisë. Mes të tjerave, ai u tha gazetarëve se “kam ofruar shembuj bazuar mbi të dhënat tona mbi financimin e njësive të ndryshme të Shtetit Islamik nga individë të ndryshëm privatë. Këto parà, nga çfarë na rezulton neve, vijnë nga 40 vende dhe, mes tyre ka edhe disa prej anëtarëve të G20-s”. Nuk mund të pritej që Putin të rrëfehej krejt sinqerisht, plotësisht dhe më hapur, por edhe me kaq sa tha, lihet hapësirë të mendohet se, krahas kompanive të mëdha europiane, aziatike, amerikane, nuk mund të përjashtohen as kompani nga vendi i tij, Rusia, as nga Turqia e Erdoganit, mikpritësit të këtij samiti.

Është e padyshimtë se ISIS, tashmë me ushtri me rreth 80 mijë frymë e me shtet, qartazi pa perspektivë njohjeje dhe legalizimi ndërkombëtar, gjeti klimë dhe tokë të favorshme e të përshtatshme në Lindjen e Mesme, me oqeane nafte e gazi nën tokën e saj dhe me hapësira e mundësi të pakufi për të mbijetuar, për t’u pasuruar, fuqizuar dhe zgjeruar. Fuqizimi i tij u favorizua edhe nga gabimet dhe dështimet në vizione, strategji, politika dhe taktika si nga ish-presidenti republikan George W. Bush, ashtu edhe nga Presidenti demokrat, Barak Obama. Edhe pse ka pasur shumë kohë të bindej, të reflektonte e korrigjonte, përsëri Obama vazhdon me doktrinën e tij të “përmbajtjes” apo “pritshmërisë” dhe të goditjeve sporadike nga ajri. Po e bën këtë edhe gjatë këtyre javëve të fundit, kur ushtria e Putinit po i sulmon antiasadistët dhe fare rrallë, isistët, nga qielli e nga toka, duke fituar kështu shumë politikisht dhe gjeografikisht në Siri e në rajon.

Kjo pjellë apo krijesë u rrit shpejt dhe theu qelqe apo mure laboratorësh. Doli nën diellin apo mbi rërën e shkretëtirave arabe pa pasur ndjesi amësore apo atërore, nacionaliteti dhe religjioni, qartësi arsyetimi dhe bindjeje, ndjesi mëshire e pendese. Duke u shprehur në mënyrë figurative, mbështetur edhe në një nga përrallat e “Një mijë e një netëve”, ka vite që “shejtani” ISIS ka dalë nga shishja dhe tani do të jetë tmerrësisht e vështirë dhe e kushtueshme financiarisht, e mbi të gjitha me jetë njerëzore, viktima nga të dyja palët apo nga shumë palë, për ta rifutur në shishe apo për ta eliminuar, si një e keqe, tashmë me shtrirje globale.

Më e keqja duket se shprehet dhe gjendet në faktin se ISIS, duke u përbërë nga shumë grupime, rryma e njësi fetare apo ushtarake, duke mbetur brenda për brenda amalgamës apo çorbës së vet ideologjike, politike dhe gjeostrategjike, mund të bëjë marrëveshje apo pazare me çdo djall, me çdo palë që mund t’ia shpërblejë mirë mercenarizmin, pa e vrarë mendjen se me emrin e Allahut në gojë dhe me kuranë nëpër duar, bëjnë krime dhe gjëma që nuk predikohen dhe frymëzohen prej tyre.

Tani, kjo “monstër” apo ky përbindësh është manipuluar dhe indoktrinuar aq shumë, sa e pandeh vetëvrasjen si rilindje, gremisjen në ferr si fluturim për në parajsë. Militantët e ISIS-it janë egërsuar dhe verbuar aq shumë sa mund të copëtojnë me eksplozivë dhe thika jo vetëm arabë të krishterë apo myslimanë shiitë, por edhe bashkëkombës, bashkëfetarë e bashkëqytetarë, edhe foshnjë në duart apo barkun e nënave, edhe shokë e shoqe shkollash dhe universitetesh, kolegë pune dhe njerëz krejt të rastësishëm, që nuk do të pranojnë të kthehen në atë lloj feje islame, që predikojnë, propagandojnë dhe përhapin ata.

Megjithatë, pa e mohuar faktin se ka lindur dhe ka pirë qumësht nga islami, natyrshëm lindin disa pyetje: A i ka shërbyer ISIS-i shumë fesë islame dhe botës islamike apo i ka penalizuar dhe dëmtuar rëndë ato? Cilat shtete dhe vende janë “harruar”, “mëshiruar” dhe nuk janë prekur fare nga ushtria dhe grupet e tij terroriste? Kemi të bëjmë me harresë e mëshirë rastësore apo të parashikuar, të instruktuar e të urdhëruar?

Përgjithësisht aksionet terroriste të ISIS-it, sidomos ato në Londër, Paris, Tuniz (18 mars 2015), Bejrut etj., kanë treguar se kemi të bëjmë me skenarë të përgatitur nga “regjisorë” dhe “aktorë” me përvojë. Vetvetiu lind pyetja: Ku e mësuan dhe përvetësuan artin e terrorit? Në shkollat e shkretëtirave apo të xhamive? Nga imamë arabo-lindorë, përgjithësisht me mjekra, por pa tituj dhe pa punë intelektuale apo nga “profesorë” dhe instruktorë izraelitë, turq, arabë, amerikano-perëndimorë, britanikë etj., me bollëk “veprash”, në fushën e shërbimeve sekrete, të operacioneve ushtarake, terroriste e antiterroriste, për eliminime individësh të rrezikshëm apo që dinin sekrete, që duhej t’i merrnin në varre, për rrëzime diktatorësh dhe regjimesh?

Për të gjetur përgjigjet për këto pyetje ndihmojnë disa fakte, që shpesh dhe përgjithësisht “harrohen” apo anashkalohen. Nuk mund të merret krejt si rastësi që shumica e liderëve apo krerëve të ISIS-it janë arsimuar dhe diplomuar në shkolla të mesme dhe në universitete të Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, vendeve nordike e vendeve të ulëta, të SHBA-së etj., më së shumti për informatikë, elektronikë dhe inxhinieri. Bën përshtypje fakti se shumica e tyre mund të ndiqeshin më me vëmendje e në vazhdimësi dhe kanë lënë herët gjurmë e prova, që mund t’i mbyllnin në burgje, duke parandaluar kështu me kohë gjëmat që kanë bërë më pas. Por, me sa kuptohet, u lanë të lirë, në emër të një tolerance ligjore të tejskajshme apo të një demokracie të tepruar.

Aktet terroriste në Paris më 13 nëntor lënë hapësirë të bollshme të mendohet se ISIS nuk ka vepruar vetëm për veten e vetëm në emër të flamurit të tij. Duhet marrë në konsideratë apo analizë si një pistë e mundshme edhe qenia pas tij në këto aksione e Presidentit të Sirisë, Assad, nëpërmjet shërbimit të tij sekret. Aq më tepër që Franca është shteti që ka kërkuar qysh herët, me këmbëngulje e vazhdimësi, largimin e tij nga pushteti, që ka financuar më shumë forcat e tij kundërshtare dhe ka bombarduar më egërsisht me avionë forca dhe objekte qeveritare. Siç deklaroi edhe Presidenti i Francës, Fransua Hollande, “Një pjesë e mirë e atentatorëve kishin qenë në Siri. Aty i kishin përgatitur, indoktrinuar, instruktuar”. Qëllimi apo llogaria e Assad-it nënkuptohen lehtë: dhënia nëpërmjet kësaj masakre të ISIS-it të mesazhit se kjo është e keqja më e madhe për Francën, gjithë BE-në dhe mbarë botën.

Fakti që një nga objektivat e goditjeve prej këtij grupi terrorist ishte edhe stadiumi “Stade de France”, ku luhej ndeshja miqësore e futbollit Francë-Gjermani, të shtyn të mendosh se skenaristët dhe sponsorizuesit e këtyre masakrave kanë synuar dhe llogaritur edhe që me një gur të vrasin dy zogj, pra edhe Gjermaninë. Thellimi në refleksion të shtyn të kujtosh edhe se këto dy shtete janë jo vetëm për largimin nga posti të Bashar al Assad-it, si kusht themelor për shuarjen e luftës civile siriane dhe zgjidhjen e krizës disa milionëshe frymë të emigrantëve, që kanë përmbytur Europën Perëndimore, por edhe ndër më konsekuentët dhe të ndjeshmit në respektimin e sanksioneve ekonomiko-tregtare e financiare ndaj Rusisë së Putinit. Ky prej vitesh e fare hapur është i njohur prej kohësh si mbështetës dhe mbrojtës i Presidentit sirian. Denoncimi disa herë më parë i disa prej autorëve të masakrave në Paris nga shërbimi sekret turk dhe mosnjohja e tyre nga njerëzit e shërbimeve të inteligjencës amerikane, të shtyjnë edhe më larg e më thellë.

scroll to top