Kuvendi duhet ta zgjedhë përbërjen e re të KSHZ-së

Komisioni për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve sot do të mabjë seancë në të cilën do të përcaktohet propozim – vendimi për përzgjedhjen e kryetarit, nënkryetarit dhe anëtarëve të Komisionit shtetëror zgjedhor (KSHZ).

Liderët e BDI-së, PDSH-së, VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, Ali Ahmeti, Menduh Thaçi, Nikolla Gruevski dhe Zoran Zaev, në takimin e djeshëm të liderëve në Klubin e deputetëve arritën marrëveshje për përbërjen e plotë të KSHZ-së.

“Rekomandojmë që Parlamenti t’i emërojë Rexhep Prekopucën, Atanas Urumas dhe Aleksandar Çipakovskin për ekspertë të pavarur të KSHZ-së. I bëjmë thirrje Parlamentit që t’i finalizojë procedurat e domosdoshme sa më shpejt që është e mundur, me qëllim që të fillojë me punën e saj dhe t’i ndërmarrë të gjitha detyrat për përgatitjen e zgjedhjeve të rregullta dhe të kontribuojë për krijimin e kushteve të barabarta në parazgjedhje”, thuhet në deklaratën e përbashkët të katër liderëve.

Paraprakisht, para përfundimit të shpalljes publike partitë propozuan anëtarë të KSHZ-së edhe atë VMRO-DPMNE, Silvana Boneva dhe Sasho Sërcev, LSDM , Violeta Duma dhe Igor MIlev, BDI, Subhi Japupin, ndërsa PDSH-ja e propozoi Bedredin Ibraimin.

Kryetari dhe nënkryetari i KSHZ-së do të zgjedhen nga radhët e ekspertëve, sipas ndryshimeve të reja të Kodit zgjedhor.

Pas përcaktimit të emrave të nëntë anëtarëve të KSHZ-së nga Komisioni për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, pritet të konvokohet edhe një seancë plenare në të cilën do të votohet përbërja e re e KSHZ-së.

scroll to top