Ky është Shefi i ri i Intelegjencës së Kosovës

Shpend Maxhuni, deri më sot Drejtor i Policisë së Kosovës, është emëruar Drejtor i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës. Njoftimi për këtë emërim ka ardhur nga Zyra e Kryeministrit, shoqëruar bashkë me një foto të Presidentit dhe Kryeministrit me Maxhunin. Siç dihet, Maxhuni është njeri besnik dhe i dëgjueshëm i Hashim Thaçit. Por mbetet e paqartë se pse Haradinaj përsëri u tregua i dëgjueshëm me Thaçin.
Shpend Maxhuni erdhi në krye të Policisë së Kosovës pasi që pushtetin në Kosovë e mori Hashim Thaçi dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Tash, po me bekimin e Thaçit, ai është emëruar Drejtor i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bashkë me kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj, sot kanë emëruar drejtorin e ri të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI)”, thuhet në një njoftim të Zyrës së Kryeministrit.

“Duke u bazuar në Nenin 84 (21), në Nenin 94 (8) dhe Nenit 129 (3) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe Nenin 5 (3 dhe 5) të Ligjit nr. 03/L-063 për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj, morën vendim për emërimin e z. Shpend Maxhuni, Drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë”.

Kjo agjenci, AKI, mbeti pa Drejtor pas aksionit të dyshimtë të kidnapimit të gjashtë shtetasve turq, dhe për të cilin aksion u shkarkua Driton Gashi, një njeri po ashtu i Hashim Thaçit. Por duket se Thaçi sërish do ta ketë njeriun e tij në këtë institucion të rëndësishëm.

Siç dihet, emërimi dhe shkarkimi i Shefit të AKI’së bëhet nga Presidenti dhe Kryeministri.

Është e çuditshme se si Maxhuni shpëtoi nga shkarkimi pas aksionit ndaj gylenistëve, ndërkohë që tash kur pikërisht për këtë aksion u shkarkua Driton Gashi, ai delegohet pikërisht në këtë pozitë.

scroll to top