Letra e Frederik Nosit për Enver Hoxhën.

VFLP
Bicë, 9 Nandor 1943
Ora 1 mb.d.
I dashtun shok Enver,
Gjenerali u kthye tash dhe mbi bisedimin që pat me Ballin në Shëngjergj më tha sa vijon:
“Për Ballin ishte Mithat Frashëri, i cili ash personi që pyetet dhe e dirigjon organizatën, dhe Vasil Andoni me Halil Maçin si përkthyes – Mbledhjen e hapi Gjenerali tue i thanë se kishte ardhur me përkrahun çdo rezistencë në Shqipni kundra okupatorit. Mbledhja nuk qe e përzemërt se çprej fillimit atmosfera u ba elektrike – mundesh me u pre me thik, pse unë i vuna përpara fakteve. Mbas pes orë bisedimesh nuk arrita dot me i bindun me nënshkrue nji deklaratë kundra gjermanëve.
Më than se janë në favor të luftës civile dhe kërkuan nga unë që të mos përzihesh fare, dhe ktë në mënyrë anmiqsore. Kur i pyeta në se aprovofshin Këshillin e Nalt të Regjencës, ku ishin dy antarë prominent të Ballit, u gjetën në nji pozitë të ngusht. Në fund thanë se kemi nxjerrun dhe nji trakt kundra tyne. Banë shumë shamatë mbi Shqipnin se po, mbasi ajo vet i kishte shkrue nji letër shtabit 15 ditë përpara mbi qëndrimin e tij. Abazi dhe Balli nuk janë nji organizatë mbasi Abazi asht ushtar dhe më jep përshtypjen se ka me luftue. Sa për Ballin nuk besoj se kanë me luftue mbasi janë njerëz fjalësh – avokat – dhe jo ushtarë – Ma banë kokën daulle me Shqipnin Ethnike dhe argumentet juridike – Por Shtabi nuk do kishte bamun mirë si kur të mos më jepte ras me u takue me ta mbasi tash i njof dhe i di se sa vlejn ushtarakisht. Jamë i lumtur që tash kamë një ide ekzakte të situatës.
Më thanë se ne para se sa të zgjidhen problemet si e Kosovës etj. nuk mundemi me e bamun popullin me luftue – se Gjermani asht i fort dhe katundet na digjen. Kur i pyeta se kush ishin 7 personat që bajnë pjesë në Komitetin Qendror të Ballit nuk m’i treguan, as që ishin në gjendje me m’i thanë. Por unë besoj se Mithat Frashëri asht aji që vendos për të gjithë”.
Me pak fjalë ky duhet se e kuptoj dhe vet se sa vlejn Ballistat si forcë luftuese – Unë i shtova dhe të mijat tue i thanë se ktu nuk asht diferenca ideologjike që i ndamë por Balli nuk ka byth me luftue se kanë vendos me çdo kusht me jetue për me zanë kulltukën. Tash momenti politik asht i favorshëm për ne /Duhet pak takt/
Pardje më pyeti Gjenerali kto sende ‘ponit blanc’. Sa e fort asht Partija Komuniste në Shqipni dhe a ka lidhje me Moskën dhe me Titon – dhe ç’pozitë ka në LNÇ”.
Unë i thash: se sa e fort asht P.K. nuk e di pse nuk jam antarë. Por e dij se simpatizant ka mjaft dhe se unë jamë Socialist dhe Filosovietik. Me partizanët serb e grek si partizanë shqiptarë jemi në marrëdhanjet ma të mira se luftojm nji armik të përbashkët me të njajtën rreptësi.
Sa për lidhje me Moskën nuk besoj të ket P.K. se Stalini kur foli dje nuk e përmendi Shqipnin fare. Atëhere më tha se Churchilli doli ma yst! dhe qeshi. Pozita e P.K. në LNC asht fare e kjart dhe e thjesht: asht nji parti kryesore që banë pjesë në të, dhe ajo ma aktive që e lufton okupatorin. Korrentet politike tjera përfaqsohen në te me gjith se nuk janë ende të organizuara si parti, përveç ksaj të zogizmit që po del tash në shesh.
Gjenerali dëshiron me u taku sa ma shpejt, si të thash dhe në letrën që nisa pak ma para këndej.
Përshëndetje shoqnore
F. Nosi

scroll to top