Lëvizja Besa ende pa një vendim për grupin parlamentar

besa.jpg

Deputetët e Lëvizjes BESA, ndonëse të ndarë në dy fraksione, ata edhe më tej vazhdojnë të jenë pjesë e një grupi të vetëm parlamentar. Porosia e kryetarit të Parlamentit Talat Xhaferi, që deputetët e BESËS më së voni deri të premten të deklarohen nëse i takojnë shumicës apo opozitës, nuk është marr parasysh nga përfaqësuesit e Lëvizjes BESA në Kuvend. Deputeti i Besës nga radhët e Kasamit, Fadil Zendeli thotë se janë 3 deputetët e grupit të Afrim Gashit ata që duhet të deklarohen për veprimin e tyre politik në të ardhmen, pasi ata janë në kundërshtim me politikën e subjektit opozitar të Lëvizjes Besa.

Kolegët e mi të cilët janë pjesë e grupit parlamentarë por nuk veprojnë brenda strukturave të Lëvizjes Besa, ata duhet të deklarohen për formën dhe mënyrën e veprimit të tyre politik. Për këtë arsye nuk është detyra ime të ju them se si ata do të veprojnë sepse ata vetë do të duhet të deklarohen se si e shohin veprimin e tyre pasi që ata tani janë deklaruar se duan të jenë pjesë e shumicës parlamentare. Ndërsa Lëvizja Besa zyrtarisht me të gjitha organet partiake është deklaruar si parti opozitare por ekziston një konflikt i cili është pak i paqëndrueshëm në aspekt politik dhe besoj se kolegët e mi me atë që sot vendosën që të jenë pjesë e shumicës parlamentar, do ta artikulojnë edhe veprimin e vet politik në të ardhmen – deklaroi Fadil Zendeli – deputet i Lëvizjes Besa.

Kryetari i krahut tjetër të Besës, Afrim Gashi duke mos dashur të komentoj shumë në lidhje me grupin parlamentar, tha se për këtë çështje po bisedohet në kryesinë e partisë dhe se ende nuk është sjellë një vendim konkret.

Për këtë çështje së pari do të duhet të vendosim në kryesinë qendrore të partisë. Më pas, kur të kemi qëndrim të qartë do ta njoftojmë edhe opinionin – tha Afrim Gashi – Lëvizja Besa

Ndryshe, Lëvizja Besa që nga janari i këtij viti është ndarë në dy fraksione, ata që mbështesin Bilall Kasamin për kryetar dhe të tjerët Afrim Gashin. Ndërkohë se kujt saktë do t’i takojë kjo parti, do të mësohet nga epilogu gjyqësor që është në procedurë e sipër. (Alsat-M)

scroll to top