Mali i Zi të organizojë referendum për anëtarësim në NATO

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova ka vërejtur ndarje të thella mes shoqërisë malazeze, pikë së pari e mbi të gjitha sa i përket çështjes së anëtarësimit të vendit në NATO.

Moska thekson se shoqëria malazeze është thellësisht e përçarë në lidhje me këtë çështje, ndaj dhe bën thirrje që udhëheqësit atje të zhvillojnë një referendum nëse qytetarët duan apo jo t’i bashkohen Aleancës së Atlantikut Verior, vijoi më tej zëdhënësja Zakharova gjatë një konference të shkurtër për shtyp të së mërkurës.

“Situata në Malin e Zi është e vështirë, – tha Zakharova. – Jemi duke folur për një krizë politike të brendshme, të shoqëruar edhe me protesta popullore. Kështu që, ndarjet e thella ekzistojnë në shoqërinë malazeze, mbi të gjitha për çështjen e anëtarësimit të vendit në NATO”, shtoi ajo.

“Ne mendojmë se populli malazez duhet të thotë fjalën e tij në një referendum për këtë problematikë, – vijoi më tej ajo. – Kjo do të ishte edhe një shfaqje e demokracisë, për të cilën po bëjmë thirrje”, theksoi në fund Zakharova.

Ministrat e Jashtëm të NATO-s ftuan zyrtarisht Malin e Zi të niste negociatat për t’iu bashkuar NATO-s në një samit të zhvilluar fillimin e dhjetorit në Bruksel. Bisedimet pritet të zgjasin nga 18 muaj deri në dy vite.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg nxitoi të siguronte se integrimi i Malit të Zi në aleancën atlantiko-veriore nuk bëhet për të kundërshtuar Rusinë dhe nuk ka aspak lidhje me këtë gjë. Mirëpo zyrtarët rusë prej kohësh ngrenë zërin kundër zgjerimit të NATO-s në Ballkan, sidomos kur bëhet fjalë për vendet e ish-Jugosllavisë, dikur nën influencën ruse.

scroll to top