Manastir, tribunë kushtuar veprimtarisë së motrave Qiriazi

Me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, sot në Manastir u mbajt një tribunë shkencore me temë: “Veprimtaria arsimore e motrave Qiriazi”, si dhe u hap ekspozita “Veshja e grave të Manastirit në kohërat e konsujve”.
Këto aktivitete u organizuan nga shoqata “22 Nëntori”, ndërsa është mbështetur nga Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit (SIMO). Fjalën përshëndetëse në këtë eveniment e kishte përfaqësuesja e SIMO-s dhe njëherit edhe kryetare e Forumit të Gruas së BDI-së, Naile Elezi, e cila theksoi se Sekretariati për Implementimin e MO-së edhe në të ardhmen do të mbështesë aktivitetet të tilla.
“Me lejoni njiherit përzemërsisht t’i përshëndes zonjat, vajzat dhe gratë e qytetit të Manastirit, qyteti i cili simbolizon qendrën e emancipimit dhe arsimimit të femrës shqiptare në këto troje, që për gjatë gjithë viteve dhe vizitave që i kam bërë në këtë anë kam gjetur shume mike dhe jemi pritur me një ngrohtësi të madhe. Kam pasur kënaqësinë që të bashkëbisedoj me shumë vajza dhe gra të Manastirit dhe rrethinës dhe në të gjitha bashkëbisedimet që i zhvilluam, për nevojat dhe problemet me të cilat ballafaqohen në jetën e përditshme, disi gjithmonë si temë bisede përfundonim tek biseda për motrat Qiriazi. Andaj, falënderoj organizatorët e këtij evenimenti që arritën entuziazmin tonë ta bëjnë realitet, që në mënyrë simbolike sot ta respektojmë veprën e motrave Qiriazi. Motrat Qiriazi, që u lindën dhe u rritën po në këtë qytet të Manastirit, janë ato që vendosën gurë në themelet e Shqipërisë. Këto dy gra të shquara hynë në Lëvizjen Kombëtare të Rilindjes sonë si dy personalitete me formim të gjithanshëm dhe lanë gjurmë të thella në emancipimin dhe arsimimin e femrës shqiptare. ‘Shkolla e vashave’, ‘Ylli i mëngjesit’, gazeta ‘Drita’, pjesëmarrja në shumë kongrese dhe konferenca me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar janë vetëm disa nga veprat vizionare kombëtare të këtyre dy grave shqiptare për të cilat do të flasin sot ekspertët e fushës”- tha Elezi.
Ne sot krenohemi, shtoi ajo, me veprat dhe gjurmët që i lanë pas, ashtu si të motrave Qiriazi edhe të shumë femrave shqiptare të historisë sonë.
“Arsimimi dhe Edukimi i gjeneratave të reja edhe në kohën e sotme mbetet një sfidë, por para së gjithash obligim dhe përgjegjësi e jona, në veçanti e gruas shqiptare, që qëndron në përkushtim për një të ardhme më të mirë, mos them se ky është obligim kombëtar, pasi që dija është ajo që na i hap dyert në një të ardhme më të ndritur”- tha Naile Elezi nga SIMO, e cila njëkohësisht është edhe kryetare e Forumit të Gruas së BDI-së.
Në këtë Tribunë morën pjesë edhe Niko Kotherja nga Muzeu i Korçës, Flora Brovina-aktiviste për të drejtat e njeriut, Mendushe Rashid-historiane, Feride Hyseni, Vjollca Elmazi-deputete në Parlamentin e Maqedonisë, si dhe pjesëmarrës tjerë. Ndryshe, gjatë këtyre ditëve do të organizohen disa ngjarje që do të shënojnë ditët e mbajtjes së Kongresit të Manastirit, ku u vendos Alfabeti i Gjuhës Shqipe.
scroll to top