Manchester City e ka turpëruar Chelsean në stadiumin “Etihad”, duke e mposhtur me rezultat të thellë, 6-0.
Derbi i i Anglisë, i zhvillua mes Manchester City e Chelsea në stadiumin “Etihad”, ka përfunduar me goleadë, shkruan Gazeta Express.
Liverpooli shpresonte në një barazim apo dështim të rivalit për titull, Manchester Cityt, por Chelsea i Sarrit ishte i pafuqishëm saqë nuk arriti të shpëtojë as vetën nga turpërimi, e lëre më t’i bëjë favor ekipit të Jurgen Klopp.
“Blutë e Londrës” u turpëruan nga “Cityzens” duke humbur 6-0.
Ekipi i Pep Guardiolës e nisi furishëm takimin duke shënuar 4 gola brenda 25 minutave, ndërsa dy të tjerë i realizoi në pjesën e dytë.
Gjithçka nisi me Sterlingun, i cili shënoi në minutën e 4’. Për 2-0 u përkujdes qendërsulmuesi, Sergio Aguero, duke shënuar një gol spektakolar nga distanca në minutën e 13’.
Ishte dita e Agueros, pasi sulmuesi shënoi të dytin personal dhe të tretin për skuadrën e tij në minutën e 19’, kurse për 4-0 dhe rezultatin përfundimtar të pjesës së parë u përkujdese Gundogan në minutën e 25’.
Chelsea nuk u këndell as në pjesën e dytë, duke pranuar edhe dy gola tjerë.
Fillimisht Aguero kompletoi het-trikun në minutën e 56’, kurse Sterlingu e gjeti edhe njëherë rrugën drejt portës për golin e dytë personal dhe të gjashtin për Cityn.
Pas kësaj fitore të madhe, City ka shkuar në kuotën e 65 pikëve, aq sa Liverpooli, por skuadra e Jurgen Klopp ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Derisa Chelsea mbetet në pozitën e gjashtë pas këtij turpërimi me 50 pikë të grumbulluara.
Kjo humbje e thellë ia ka lëkundur seriozisht karrigen Maurizio Sarrit, i cili rrezikon seriozisht shkarkimin.