Maqedonia para një izolimi të mundshëm, ndikimi rus në Ballkan e përshpejton zgjerimin

Maqedonia mund të jetë stabile dhe e sigurt vetëm pas anëtarësimit në NATO, thotë profesori universitar Trajan Gocevski. Për sa kohë nuk jemi pjesë e NATO-s, thotë Gocevski, ne nuk jemi destinacion i sigurt. Gjëja pozitive në rekomandimin e kushtëzuar, siç vëren ai, është se dera e NATO-s nuk është e mbyllur tërësisht.

“Është negative që NATO-ja nuk bëri një hap para, ta ftojë edhe Republikën e Maqedonisë, duke e vënë në efekt kështu, ftesën e bërë. Shumë është e rëndësishme që në një farë mënyre vërtetohet se ftesa nuk është tërhequr. Në samitin e fundit të NATO-s në Uells u miratua një dokument i rëndësishëm, në të cilin, për ne u vendosën 4 kritere të reja: 2 nga Shqipëria fqinje dhe 2 nga Bullgaria fqinje, qëndrimi i të cilëve ishte se ne duhet t’i përmbushim kushtet, e më pas të marrim ftesë”, tha Gocevski.

Vlerësimi që Mali i Zi të hyjë në NATO, siç shpjegoi Gocevski, është bërë për arsye gjeopolitike. Sipas tij, me rritjen e ndikimit rus në Ballkan, është kthyer edhe interesimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendet e rajonit. Shkaqet për izolimin e mundshëm të vendit, në raport me fqinjët e Ballkanit, Gocevski i sheh në situatën politike të brendshme.

“Nuk dua të them që Maqedonia është lënë e vetme, mirëpo ndjehet njëfarë izolimi në raport me integrimet euroatlantike. Kjo ndodh nga vetë situata e brendshme politike në vend” tha ai.

Qëndrim të ngjashëm ka edhe kryetari i Këshillit Euro-atlantik Ismet Ramadani. Kësaj qeverie, siç vërejti Ramadani, i mungon entuziazmi i nevojshëm.

“Sipas Ramadanit, duhet të punohet shumë, në rajon dhe në Evropë që të jemi nën ombrellën e NATO-s. Përndryshe, ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, e konfirmuan ftesën e kushtëzuar të Samitit të Bukureshtit në vitin 2008, për anëtarësimin e Maqedonisë. NATO-ja do ta ftojë IRJM-ën, sapo të gjendet një zgjidhje e përbashkët për të dyja palët, rreth çështjes së emrit, në kuadër të OKB-së”, tha Ismet Ramadani.

scroll to top