Marrëveshja finale me Serbinë pa Hashim Thaçin. A mjafton vetëm Avdullah Hoti?

thaci-thaci.jpg

Presidentin, të cilit disa kryeministra premtonin se do t’ia merrnin timonin në dialog, e largoi nga aty vetëm aktakuza e dorëzuar në Hagë. Avdullah Hoti, i vetëm, pa e funksionalizuar as Forumin e Liderëve që e kishte propozuar, ka rinisur diskutimet për dialogun me Serbinë dhe negociatat me Vuçiqin. Presidenca është në heshtje, ndërsa, sipas Lëvizjes Vetëvendosje, Thaçi mund të jetë hequr nga dialogu, por jo edhe nga Hoti që ajo thotë se “po e vazhdon linjën Thaçi-Vuçiq”. A është i plotë tash përfaqësimi i Kosovës vetëm nga Hoti?

Më shumë se çfarë do të negociohet me Serbinë, në Kosovë është diskutuar se kush është kryesori në dialog.

Pas debatit disavjeçar, nëse Thaçi si President, apo kryeministri – cilido që ishte në pushtet – Avdullah Hotit papritmas i ra hise që takimet me liderë të Bashkimit Evropian dhe me presidentin Aleksandër Vuciqim t’i rinis i vetëm. Gjatë kësaj jave, të mërkurën e ka takuar presidentin francez, Emmanuel Macron, sot ka mbajtur videosamit, e për të mërkurën tjetër është planifikuar takimi me Vuçiqin në Bruksel, me ndërmjetësim të BE’së.

Qeveria e Kosovës nuk komenton nëse po vërehet mungesa e Thaçit në diskutimet që Franca e Gjermania i ka hapur këtë javë.

Nga Zyra e Kryeministrit i kanë thënë Expressit se “siç është parë edhe në fjalimin e plotë të Hotit nga videosamiti i Parisit, diskutimet e Kryeministrit Hoti kanë qenë të frytshme”.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri Hoti po zhvillon takime, agjendën e të cilave as që e di shefi i Qeverisë.

Zyra për Media e LVV’së i ka thënë Gazetës Express se mungesa e një platforme që bëhet dhe merr mbështetjen në Kuvend, tregon se Hoti vetëm po e vazhdon linjën e diskutimeve të Thacit me Vuciqin.

 “Takimet e fundit po zhvillohen me një mungesë të transparencës rreth agjendës së tyre. Siç duket as vet z. Hoti nuk është në dijeni për agjendën e këtyre takimeve. Kurse në anën tjetër mungesa e platformës së shkruar, e cila do të duhej t’i nënshtrohej një diskutimi shterues dhe në fund të kishte mbështetjen e gjerë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e bën të qartë se z. Hoti është vetëm duke vazhduar linjën e dialogut Thaçi-Vuçiq”.

LVV e sheh si jolegjitime Qeverinë Hoti, rrjedhimisht të padenjë për ta përfaqësuar Kosovën në dialogun, 

“Kjo qeveri, jolegale dhe jolegjitime nuk mund të përfaqësojë Republikën e Kosovës. Ajo nuk buron nga shprehja e vullnetit të qytetarëve, e për më tepër është kontrabanduar në Kuvend duke shpërfillë parimet bazë të përfaqësimit demokratik dhe praktikat kushtetuese në vend. Për më tepër, kjo qeveri bashkë me z. Hoti varen nga secila votë e Listës Serbe. Kjo e fundit, nëpërmjet një komunikate për shtyp deklaroi se përkrahë luftën politike dhe diplomatike të Presendit Vuçiq kundër Kosovës. Për çka z. Hoti nuk e tha asnjë fjalë”, thuhet në përgjigjen e LVV’së.

Zyra e Presidentit të Kosovës nuk është përgjigjur në pyetjet se si i sheh Thaçi vazhdimin e diskutimeve, pa pjesëmarrjen e tij.

Analisti Imer Mushkolaj e sheh si të mangët përfaqësimin e shtetit të Kosovës vetëm nga Kryeministri. Sipas tij, duhet të ketë ekip dhe se Hoti vetëm mund ta tregojë pozicionin aktual të Kosovës.

“Është e rëndësishme që Kosova në dialogun me Serbinë të përfaqësohet si ekip, bazuar në kompetencat kushtetuese të secilit institucion. Andaj, përfaqësimi i Kosovës vetëm nga presidenti ose vetëm nga kryeministri nuk është i plotë. Në takimet rreth dialogut Hoti mund të shpreh vullnetin për vazhdimin e negociatave dhe të tregojë pozicionin aktual te Kosovës në proces, por është e rëndësishme që sa më shpejt të zgjidhet edhe çështja e përfaqësimit të institucionit te presidentit”, ka thënë Mushkolaj.

Kryeministri Hoti, pas emërimit në pozitë, ka thënë se ai do ta udhëheqë dialogun me Serbinë, ashtu siç e qartëson aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje.

Ndërkaq, Presidenti Hashim Thaçi, sa herë që është pyetur se kush do ta kryesojë ekipin kosovar në dialog, ka thënë se Kushtetuta i tregon qartë kompetencat e gjithsecilit, duke përmendur se ai ka të drejtën e përfaqësimit e Kosovës jashtë saj.

Thaçi ishte nisur për të rifilluar dialogun me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, kur Prokuroria në Hagë bëri publike se ka dorëzuar aktakuzën ndaj Thaçit, sipas së cilës, ai dyshohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Pas këtij njoftimi, Presidenti Thaçi anuloi pjesëmarrjen në takimin e Uashingtonit, duke u kthyer në Kosovë.

Richard Grenell, emisar special i Presidentit amerikan Doland Trump për dialogun Kosovë – Serbi, njoftoi se takimi do të mbahej në mes të kryeministrit Hoti dhe delegacionit serb, e më pas u bë e ditur se Hoti po ashtu anuloi pjesëmarrjen. /Express/

scroll to top