Mavraj beson në kualifikimin e Kombëtares

Mërgim Mavraj beson se Kombëtarja shqiptare mund të kualifikohet nga Grupi A në Euro 2016

Dëshira e Mërgim Mavrajt ishte që në grup ta ketë Gjermaninë, por fati e ripërball me Francën dhe Zvicrën e shqiptareve.

Në një bisedë për “Panorama Sport”, mbrojtësi kuqezi kujton edhe një herë golin ndaj Francës, ndërsa beson se Shqipëria mund të bëjë mrekullinë me këtë grup.

Mërgim, ishte ky shorti që prisnit, apo nuk jeni i kënaqur?

Po, jam shumë i kënaqur. Zoti na mundësoi t’i takojmë përsëri vëllezërit tanë (bëhet fjalë për shqiptarët e Zvicrës).

Çfarë e pret Zvicrën tani, janë ata nën presion apo Shqipëria?

Për momentin askush nuk është nën presion. Kemi edhe shtatë muaj kohë të përgatitemi për Europianin. Pastaj, gjatë kampionatit do të jemi të gjithë në presion, sepse secili ekip ka dëshirën dhe synimin të kalojë më tej.

Fakti që në short kemi sërish Francën, së cilës i keni shënuar, ju kënaq?

Shpresoj që me ndihmën e Zotit t’i shënoj përsëri, do të ishte një ndjesi shumë e mirë.

Në gjykimin tuaj, kemi shanse kualifikimi në këtë grup?

Sigurisht që po, unë personalisht kam shumë besim. Ndeshjen e parë e kemi me Zvicrën.

Do të donit këtë kundërshtar në fillim, apo do të zgjidhnit mes Francës dhe Rumanisë?

Nuk mendoj për këto gjëra, kanë vlerë vetëm për analistët, jo për mua. Me rëndësi për mua dhe grupin tonë është që të fitojmë çdo sfidë. Kemi dashur Gjermaninë në grup.

Ju vjen keq që nuk do të luajmë kundër tyre, apo ju pëlqen realisht ky short?

Realisht, ky short më pëlqen shumë, madje edhe më shumë, sepse luajmë kundër Francës. Ajo është favorite, por ne kemi treguar që mundemi t’ia dalim dhe kjo gjë na jep akoma më tepër vetëbesim.

scroll to top