Mbrëmë janë arrestuar edhe pesë deputetë të Vetëvendosjes

Mbrëmë vonë janë arrestuar edhe pesë deputetë të Vetëvendosjes. Glauk Konjufca, Aida Durguti, Besa Baftiu, Faton Topalli dhe Fisnik Ismajli mbrëmë i janë dorëzuar Policisë së Kosovës.

Siç njofton Telegrafi, zyrtarë të Policisë së Kosovës po i prisnin ata jashtë ndërtesës së Kuvendit.

Dy prej tyre, Topalli dhe Ismajli kanë qenë në masën e arrestit shtëpiak dhe për ta pritet të ndryshohet kjo masë, derisa për tre të tjerët, Konjufca, Durguti dhe Baftiu që hodhën sot gaz lotsjellës pritet të caktohet masa e ndalimit për 48 orë.

Gjatë ditës së sotme masa e ndalimit policor u është caktuar deputetëve të AAK-së, Time Kadrija dhe Pal Lekaj, ndërsa për Teuta Haxhiun ende nuk dihet vendimi.

Disa nga deputetët e mbetur të opozitës kanë vazhduar ta ruajnë sallën kryesore të seancave të Kuvendit të Kosovës.

scroll to top