Megjithatë plas sherri mes Bashës dhe Berishës

basha-berisha-614x445.jpg

Nëse deri më tani kemi parë një përplasje mes Lulzim Bashës dhe grupimit që u la jashtë listave për deputetë, në Partinë Demokratike duket se po nis një përplasje tjetër edhe më fort. Kësaj here është lideri i saj historik, Sali Berisha, i cili sulmon ashpër kryetarin aktual, Lulzim Basha.

 

Duke folur në një intervistë për emisionin ‘Fakt’ të Cim Pekës, Berisha hedh akuza ndaj Bashës dhe thotë se ai s’do e kishte bërë kurrë një listë si ajo e tij.

 

“Këshilltarët e Lulzim Bashës janë mizerabël. Ajo nuk ishte lista e PD, por lista Basha. Disa përjashtime janë të papranueshme. Unë s’do e bëja kurrë atë listë. Por në ka një njeri që e di se unë besoja se Lulzim Basha mund të fitonte edhe me atë listë, ai është Cim Peka”, është shprehur Berisha në një intervistë që do të transmetohet sonte në mbrëmje.

 

Ish-kryeministri deklaron si të vërteta raportimet në media për ato që ndodhën në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, një ditë pas rrjedhjes së votave për Gramoz Ruçi Kryetar Kuvendi.

 

Me interes të madh është gjithashtu edhe qëndrimi i Berishës për fatin e marrëveshjes ‘Rama-Basha’, qëndrim që do të bëhet publik sonte në mbrëmje.

 

Kujtojmë se Berisha ka qenë disi i tërhequr nga zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike, sidomos gjatë garës Basha-Selami, një garë e montuar për të rikonfirmuar sërish në krye të PD-së, Lulzim Bashën.

 

Por dukshëm mbështetja e tij ishte sërish pro Lulzim Bashës. Nuk dihet se çfarë ka ndodhur së fundi në raportet mes tyre, pasi ky ndryshim kursi 360 gradë i Berishës ndaj Bashës, nuk kishte ndodhur kurrë më parë.

 

Berisha ka qenë sponsori politik kryesor i Lulzim Bashës që në vitin 2005 kur ai mbërriti në Tiranë për t’iu bashkuar KOP-it e deri sa u ngjit në krye të PD-së në vitin 2013, sërish përmes një gare të diskutueshme përballë të ndjerit Sokol Olldashi. Mbetet veç të presim intervistën e plotë sonte në mbrëmje për të mësuar më shumë për ‘planin B’ të Sali Berishës.

scroll to top