Meta letër grupeve parlamentare: Të ngrihet komision për reformën zgjedhore

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta ju ka dërguar letër drejtuesve të grupeve parlamentare ku u kërkon ngritjen e një komisioni për reformën zgjedhore. Nuk dihet se çfarë propozon LSI-për  ndryshimet e Kodit Zgjedhor, por gjithnjë ajo është shprehur se ndryshimet në këtë ligj nuk duhen bërë në limitet parazgjedhore të afateve. Menjëherë pas publikimit të raportit të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet e këtij viti, LSI nxori në një një konferencë për shtyp Petrit Vasilin dhe Luan Ramën.

Ata thanë se duhen reflektuar rekomandimet e vëzhguesve ndërkombëtarë, dhe në këtë drejtim, nuk mund të humbej kohë. “Është shumë e rëndësishme të reflektohen menjëherë rekomandimet e OSBE-ODIHR-it për të përmirësuar cilësinë e procesit zgjedhor e para, dhe e dyta duhet të heqim dorë nga praktika shqiptare e reflektimit apo e ndërhyrjeve në momentin e fundit. Sepse veprimi në kushte emergjence dhe shmangia nga thelbi i këtyre rekomandimeve nuk do të bëjë gjë tjetër, vetëm, sa do të prodhojë të njëjtat probleme. LSI-ja është e vendosur, që nesër të ofrojë kontributin e vet, të punojë pa asnjë rezervë për të realizuar dhe për të reflektuar të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet e OSBE/ODIHR-it”-tha Luan Rama në 14 tetor.

“Asnjë nismë e njëanshme nuk i shërben askujt. Kemi propozuar që tavolina e përbashkët, grupi i përbashkët i punës të jetë ai që të provojë të gjitha opsionet për të gjitha problematikat e adresuara atje, ku secila më vete dhe të gjitha së bashku komprometojnë besueshmërinë e procesit zgjedhor. Të gjitha kompromiset e arritura në momentet e fundit, kanë bërë as më shumë e as më pak se sa kanë thyer procedurat zgjedhore të miratuara. Bërja në kohë nuk do të thotë se jemi në kohë.

Unë mendoj se ne jemi vonë në kohë”-tha Vasili. Debatin për ndryshime zgjedhore e hapi ish-kryeministri Berisha, i cili tha në një intervistë televizive se Rama i kishte dërguar njerëz për të kërkuar një sistem zgjedhor me prim.

Në përgjigje të kësaj deklarate, kryeministri i vendit nuk e pranoi të kishte bërë një propozim të tillë, por tha se çdo ndryshim i kësaj rëndësie do të bëhej në bashkëpunim me aleatët. Vetë LSI ku u pyet për këtë çështje u shpreh kundër sistemit zgjedhor me prim. Kreu i opozitës, Lulzim Basha bëri po ashtu propozimet e tij për reformën zgjedhore. Ai propozoi reduktimin e numrit të deputetëve, si dhe krijimin e parlamentit me dy dhoma, duke kërkuar krijimin e senatit. “Ne mekanizmat e kontrollit, propozoj krijimin e dhomës së dyte të senatit, të zgjedhur nga populli.

Senati duhet jetë i drejtpërdrejtë nga qytetarët dhe merr përsipër atë që i është besuar Gjykatës Kushtetuese. Si edhe të ulim numrin e parlamentarëve, me kusht që të mos jetë kozmetikë”,-tha Basha. Edhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, tha se nuk mund të pranohet një sistem zgjedhor me prim, pasi në këtë mënyrë do tu faleshin mandate dy partive të mëdha. Sistemi zgjedhor me prim, konsiston në një formulë e cila i jep automatikisht partisë me numrin më të madh të votave një numër të caktuar deputetësh ekstra.

Ky numër që mund të jetë 20 apo 50 deputetë, apo një numër x është i parashikuar në Kodin Zgjedhor. Pjesa tjetër e numrit të përgjithshëm të deputetëve shpërndahet sipas përqindjes së votave që ka marrë secila parti.

scroll to top