Meta: Miratova rendin e ditës. Reforma, sipas propozimit hibrid

ilir-meta.jpg

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, në një deklaratë për mediat të mbajtur pas takimeve me krerët e partive politike, ka bërë me dije se ka miratuar rendin e ditës për seancën plenare të 21 korrikut.

“Sapo kam miratuar rendin e ditës për seancën plenare të 21 korrikut, ku kërkesa për disa ndryshime kushtetuese do të jetë çështja e parë dhe kryesore e punimeve”, ka deklaruar Meta.

Ai është shprehur se, kjo është seanca më e rëndësishme e Kuvendit që nga dita kur u votua Kushtetuta e vendit, “sepse do të na duhet të miratojmë me konsensus ndryshimet kushtetuese që përbëjnë një kushtetutë thuajse të re e që ristrutkurojnë drejtësinë”, ka thënë Meta.

Sipas tij, janë ende 2 momente “fare të vogla” që kërkojnë dakordësinë përfundimtare të ekspertëve vendas e ndërkombëtarë.

“Negociatorët janë të mandatuar të ushqejnë qëndrimet konsensuale të tryezës politike të mbajtur dje, të mbështetur në propozimin hibrid të paraqitur nga zonja Nuland e që ka mbështetjen e SHBA dhe BE”, ka vijuar Meta.

Ai ka ftuar këtë tryezë që të vazhdojë punën, ndërsa si kryetar i Kuvendit ka kërkuar që diskutimet t’i bëjnë të hapura e transparente për mediat, qytetarët dhe ndërkombëtarët.

“Deputetët, ditën e enjte në orën 10 dhe opinioni publik shqiptar kanë nevojë të njihen me përmbajtjen e këtyre diskutimeve”, ka thënë Meta, i cili ka theksuar se seanca nuk do të mbyllet pa u bërë miratimet e nevojshme.

“Kjo seancë nuk do të mbyllet pa miratimin e kësaj kushtetute të re dhe në këtë frymë serioziteti ftoj të jenë të pranishëm gjithë përfaqësuesit ndërkombëtar”, ka paralajmëruar kreu i Kuvendit.

Ai ka shprehur bindjen se institucioni i drejtuar prej tij do ta kthejë të enjten në një ditë suksesi kombëtar, në shërbim të drejtësisë dhe integrimit.

“Kjo ditë është një përgjegjësi e madhe për të gjithë deputetët e kuvendit dhe unë kërkoj moratorium për deklaratat politike”, ka shtuar Meta.

scroll to top