MPJ: Ambasadori Hysa jep kontribut të madh në përfaqësimin e interesave të qytetarëve të Kosovës në Maqedoni

Pas publikimit të disa artikujve tendencioz, kundër ambasadorit të Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysa, Divizioni për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Jashtme të Republikës së Kosovës, sqaron opinionin publik në Maqedoni, se ambasadorët e Republikës së Kosovës prononcohen për mjetet e informimit në koordinim me MPJ-në, duke u bazuar rregullore, ligje e konventa dhe në përputhje me interesat e komunikimit të diplomacisë kosovare me publikun.
Për shkak të ndjeshmërisë së rastit të cilit i janë referuar mediat shqipe në Maqedoni, i gjithë komunikimi me publikun është fokusuar vetëm në Divizionin për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, e cila është në dispozicion që t’i përgjigjet edhe kërkesave të gazetarëve nga rajoni dhe më gjerë.
Ambasadori Hysa ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, jo vetëm në menaxhimin e situatës së krijuar së fundmi, por edhe në përfaqësimin e interesave të qytetarëve të Kosovës në Maqedoni, prandaj çdo etiketim dhe tentim për të njollosur punën e tij është i papranueshëm për MPJ-në.
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, përmes ambasadave është në shërbim të përditshëm të shtetasve të Kosovës, por mjetet e informimit nuk duhet të ngatërrojnë rolin e ambasadorit, me atë të zëdhënësit për media.
Divizioni për Komunikim me Publikun i MPJ-së fton të gjitha mediat që për çdo pyetje t’i drejtohen Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës thuhet në reagimin e kësaj ministrie.
scroll to top