Murtezi: Ivanovit terenin i’a krijuan “Besatarët” që tradhëtuan platformën shqiptare, qoftë në Tiranë apo në Shkup

“I ashtuquajturi president i shtetit, Gjorge Ivanov veproi ashtu siç e ka zakon çdoherë, thelloi krizën politike në një përmasë edhe më të rrezikshme, që me shumë gjasë mund të çojë drejt një lufte civile”, kështu vlerëson juristi Florentin Murtezi lidhur me vendimin e djeshëm të presidentit Ivanov për mosdhënie të mandatit Zoran Zaevit për formimin e qeverisë.

Sipas Murtezit, platforma shqiptare ka qenë shkaku kryesorë që Ivanovi e ka gjetur në pengesën për dhënien e mandatit dhe daljen e vendit nga kriza.

“Ashtu siç pritej, Ivanov shkak për mos dhënien e mandatit për formimin e qeverisë së re, liderit të LSDM-së Zoran Zaev, e paraqiti platformën shqiptare, sipas tij të përpiluar në Tiranë.
Ndryshe, edhe vet Ivanov dhe gjithë opinioni e dinë se ajo Platformë u hartua në Shkup qysh në tryezen e parë të thirur nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, e cila gjeti mbështetjen edhe të Aleancës për Shqiptarët”, thotë kështu më tej Murtezi.

Ivanovi me këtë gjest të djeshëm ofendoi qytetarët shqiptarë, Tiranën zyrtare e madje nuk dëgjoi as këshillat e ndërkombëtarëve.

“Ivanov, me një vendim të tillë ofendoi gjithë qytetarët shqiptarë, që janë kyç në ekzistimin e Maqedonisë, ofendoi Tiranën zyrtare, dhe veproi kundër gjitha këshillave të zyrtarëve të lartë të BE-së dhe NATO-s, të cilët e paralajmruan që të jetë i kujdesshëm në një veprim të tillë”, thotë kështu Murtezi duke vlerësuar se një teren të tillë Ivanovit i’a kishte krijuar dikush tjetër.

“Por, sigurisht se një teren për një veprim të tillë, ia mundësoi Ivanovit dikush.Bartja e koordinimit të partive shqiptare, nga Shkupi në Tiranë, si rezultat i ‘adoleshentllëkut’ politik të Lëvizjes BESA, i dha shkak Ivanovit të veprojë sot mbi këto arsyetime që i paraqiti vetë.

Vazhdimi i fushatës elektorale, edhe pas zgjedhjeve, nga zyrtarë të BESËS, duke thyer dhëmbët në debate se gjoja platforma është bërë në Tiranë e jo në Shkup, e duke u distancuar nga po e njejta, sigurisht se pritej që Ivanov sot të thiret në atë se “nuk lejon” Platforma të huaja në qeverisjen e vendit. Lëvizja BESA, përveç që tradhtoi Platformën Shqiptare, të hartuar në Shkup, të cilën e citon edhe vet Presidenti i Shqipërisë, Nishani, tërthorazi u bë edhe aleate e VMRO-DPMNE-së, duke i hapur teren që kjo e fundit sot të veprojë ashtu siç po vepron sot”, thekson për fund Murtezi. /ilirianews.mk/

scroll to top